Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Gazetarja:- Zoti Rakipi, sapo jeni kthyer nga vizita juaj në Itali, çfarë konkluduat me homologun tuaj italian?

Kryeprokurori Arben Rakipi:- “Siç ndoshta është bërë e qartë nga media në Tiranë, ne kemi biseduar dy ditë rresht me zotin Vinia, lidhur me çështje të përbashkëta që kemi me prokurorinë italiane, si dhe rreshtuam konkluzionet lidhur me çështjen e fundit, të operacionit të drogës, që sapo filloi në Tiranë. Gjatë këtyre bisedimeve dy ditore, kemi rënë dakord të vazhdojmë bashkëpunimin ndërmjet nesh”.

Gazetarja:- Si ka qenë bashkëpunimi nga pala shqiptare për kapjen dhe zbulimin e këtij rrjeti, që është më i madhi i zbuluar ndonjëherë për drogën dhe përfshirjen e Shqipërisë në të?

Kryeprokurori Arben Rakipi:- “Roli ynë ka qenë vendimtar dhe ka filluar herët. Ne prej kohësh kemi marrë informacione me mundësinë e ardhjes në Shqipëri të kokainës, mundësi që Shqipëria të bëhej një trampolinë jo e parëndësishme e kokainës për në pjesën perëndimore. Mundësinë që narkotrafikantët kolumbian, ta kishin Shqipërinë si bazë të avancuar të tyre. Kështu që në një periudhë jo të vogël, diçka kemi ndihmuar edhe ne, për të bërë të mundur arrestimin dhe goditjen e të gjithë atij rrjeti”.

Gazetarja:- Sokol Koçiu është një ish-punonjës i prokurorisë shqiptare, mund të thoni se sa i implikuar është ai në çështjen e trafikut të drogës?

Kryeprokurori Arben Rakipi:- “Unë dua t’iu theksojë, që reagimi i tij i pa arsyeshëm të nesërmen e kapjes së dy trafikantëve, na ka bërë të dyshojmë në mënyrë të thellë lidhur me pozicionin e tij. Fakti që reagoi në atë farë mënyre, fakti që po hedh në treg të mediave, shpifje dhe broçkulla, më bënë të ridyshojë akoma që ai mund të jetë i implikuar”.

Gazetarja:- Deri ku është procesi tani për çështjen Hajdari?

Kryeprokurori Arben Rakipi:- “Edhe për çështjen Hajdari, dua të ritheksojë atë që thashë, ajo shumë shpejt do të shkojë në gjyq. Unë uroj që ajo të shkojë brenda javës tjetër”./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori