Një burrë amerikan, i martuar dhe me 3 fëmijë ka 4 vite që ka vendosur të sfidojë stereotipet gjinore kur bëhet fjalë për modën.
Mark Bryan është 61-vjeçar, inxhinier i robotikës dhe i pëlqen të veshë funde me taka. Ai jeton në Gjermani dhe shpërndan me krenari në rrjete sociale, kombinimet e tij ditore në punë.

Bryan ka një llogari në Instagram @markybryan911, dhe aty publikon pamjet e tij të përditshme. Imazhe nga puna, shtëpia apo edhe nga dyqane. Ai duket shumë elegant në fotot e publikuara dhe shpesh kombinon këmishat e tij mashkullore me funde dhe taka të ndryshme.

Në biografinë e tij, Mark e përshkruan veten si një “burrë heteroseksual, i martuar me lumturi, që pëlqen Porsche, gra të bukura dhe që përfshin taka dhe funde në veshjet e tij të përditshme”.

Edhe pse Mark ka mbështetjen nga gruaja e tij, kjo zgjedhje për veshjen bën që ai të përballet gati çdo ditë me pyetje të ndryshme. Një pjesë e madhe e njerëzve vënë në pikëpyetje seksualitetin e tij kur e shohin me ato rroba.

“Shumicën e kohës, unë ju them se nuk është punë e tyre”, tha ai, ose përgjigjem me diçka si “pse duhet të të bëjë një fund i veshur të mendosh për preferencat e mia seksuale?” apo “A do ta bënit të njëjtën pyetje nëse do të vishja pantallona?” dhe “Pse nuk i bëhet kjo pyetje për preferenca seksuale një gruaje të veshur me fund dhe taka?”

Mark është shprehur se ai vesh ato rroba sepse mundet dhe thotë se gjithmonë i ka admiruar gratë që veshin funde të ngushta me taka dhe fuqinë që ajo veshje paraqet./tvklan.al