Nuk ka të ndalur abuzimi me cilësinë e karburantit. Vetëm nga kontrollet e ushtruara dy javët e fundit nga inspektorati qendror teknik në pikat e karburantit në kryeqytet është konstatuar se rreth 15% e tyre kanë probleme serioze me cilësinë.
Kryeinspektori i ri, Virgjil Joti, pohon këtë situatë.
Virgjil Joti: “Kemi lëshuar një urdhër pune dhe evidentimin e gjithë tregut të karburanteve, po ushtrojmë një kontroll të rreptë në gjithë pikat e karburanteve në Shqipëri nga ana e dokumentacionit ligjor, nga ana e cilësisë. Rreth 300 kontrolle në një afat të shkurtër brenda 2 javësh dhe janë evidentuar me shkelje rreth 20 subjekte të cilat janë gjobitur me gjoba maksimale deri në 500 mijë lekë.”
Cilësia e karburantit në treg vijon të mbetet një problem shqetësues për konsumatorët dhe bizneset.
Qytetari 1: “Kjo e jashtmja është e mirë, kurse kjo e vendit ka problemet e veta.”
Qytetari 2: “Shumë e dobët, por megjithatë unë e furnizoj vetëm me një karburant.”
Fjorald Zguro: “Ku e kuptoni që është cilësi e dobët?”
Qytetari 2: “Nga makina, nga motori, motori nuk punon mirë.”
Kreu i inspektoratit qendror teknik kërkon me ngulm disa ndryshime ligjore në procedurat e ekzekutimit të gjobave apo bllokimit të aktivitetit, duke ju referuar edhe shembujve nga vendet e rajonit, masa të cilat do të jepnin impakt të menjëhershëm në normalizimin e situatës në treg.
Vetëm vitin e fundit rezultojnë të pa vjela gjoba për cilësinë e karburantit që në total shkojnë në rreth 300 mijë dollarë.
Virgjil Joti: “Ne vejmë gjoba, por këto i ekzekuton pushteti vendor ose bashkia. Në qoftë se do ndërhyjmë ne ligj që kjo gjobë të jetë titull ekzekutiv dhe ne të bëjmë mbylljen e një pike karburanti deri në ekzekutimin e kësaj gjobe, atëherë do themi se do të kemi ecur në këtë drejtim.”
Sipas një përllogaritje të kryer nga shoqatat e biznesit dëmi që ju shkaktohet konsumatorit dhe sidomos sipërmarrësve nga abuzimi me cilësinë e karburantit është të paktën 150 milion euro në vit, pa përfshirë këtu vjedhjen me vëllimin apo çmimin./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro