Parlamenti i Irakut ka miratuar amendamentet për statusin personal që kundërshtarët thonë se do të legalizojë martesën me të mitur.

Amendamentet u japin gjykatave islame autoritet më të lartë në çështjet familjare përfshirë martesën, divorcin dhe trashëgiminë. Aktivistët thonë se kjo cenon Ligjin e Statusit Personal të vitit 1959 që unifikonte kodin e familjes dhe përcaktonte sigurinë e grave.

Aktualisht, ligji cakton moshën 18 vjeç si pragun e martesës. Me ndryshimet e miratuara të martën, klerikët mund të udhëheqin sipas interpretimit të tyre të ligjit islamik, të cilin disa e interpretojnë se lejon martesën e vajzave në adoleshencë të hershme ose që në moshën 9-vjeçare sipas shkollës Jaafari të ligjit islamik që ndiqet nga shumë autoritete besimtare shiitë në Irak.

Iniciatorët e këtyre ndryshimeve që u mbrojtën nga ligjvënësit konservatorë shiitë, thanë se ky është një mjet për të njëtrajtësuar ligjin me vlerat islamike dhe për të pakësuar ndikimin e kulturës perëndimore në atë vendase.

Parlamenti miratoi edhe një amnisti të përgjithshme në favor të të burgosurve sunni dhe që u hap rrugën njerëzve të përfshirë në korrupsion dhe shpërdorim detyre. Dhoma miratoi edhe rikompensimin e tokës që lidhet me pretendimet territoriale kurde.

Intisar al-Mayali, një aktiviste e të drejtave të njeriut tha se kalimi i amendamenteve për statusin civil “do të lërë efekte shkatërrimtare të të drejtave të grave dhe vajzave përmes martesës së vajzave në moshë të hershme, çka dhunon të drejtën e tyre për jetën si fëmijë dhe do të shtrembërojë mekanizmat mbrojtës për divorcin, kujdestarinë dhe trashëgiminë e grave”.

Seanca përfundoi me rrëmujë dhe akuza për cenim të procedurave.

“Gjysma e parlamentarëve të pranishëm nuk votuan, çka thyen ligjin”, tha një zyrtar anonim. Ai shtoi se disa anëtarë protestuan fort dhe të tjerë u ngjitën në podium.

Pas seancës, disa prej tyre u ankuan për procesin e votimit, nën të cilin tre ligjet u votuan të gjithë bashkë.

Të martën, të paktën tre oficerë, përfshirë shefin e sigurisë kombëtare të distriktit verior al-Tarmiyah në Bagdad, u vranë dhe katër të tjerë u lënduan gjatë një shpërthimi në një depo municioni.

Një zyrtar sigurie që foli në kushtet e anonimatit, tha se shpërthimi ndodhi pasi ushtria irakiane dhe shërbimi i sigurisë kombëtare kryen një operacion pas raportimit të inteligjencës për një veprimtari të Shtetit Islamik./tvklan.al