Irani i është kundërpërgjigjur fjalimit provokues që Trump bëri në asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Ata kanë testuar një raketë të re e cila ka një shtrirje prej 2 000 kilometrash. Lëshimi i raketës Khoramshahr u shfaq në televizionin shtetëror por është e paqartë se kur është kryer.
Raketa Khoramshahr u prezantua për herë të parë në një paradë ushtarake që u mbajt të premten në Teheran. Në asamblenë e OKB-së, Trump kritikoi programin iranian për raketat si dhe marrëveshjen bërthamore të 2015-s. SHBA-ja vendosi sanksione të reja mbi Iranin në korrik mbi programin iranian të raketave balistike.
Presidenti Trump në fjalimin në OKB e konsideroi Iranin si një vend të vogël me regjim mashtruesish dhe ka thënë se marrëveshja bërthamore me ta është një “siklet” për SHBA-në. Nga ana tjetër presidenti i Iranit, Hassan Rhouani iu përgjigj fjalëve të Trump duke iu referuar vendit të tij si një nga vendet që po merr pjesë në politikat e rëndësishme ndërkombëtare dhe e kritikoi fjalimin e përdorur nga Trump duke e quajtur atë injorant, absurd dhe urryes./
tvklan.al