Pasi goditi me breshëri raketash Izraelin, Irani ka deklaruar se sulmi më i madh i tij ushtarak ka përfunduar, duke ndaluar provokimet e mëtejshme.
Zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se sulmi i së martës nuk do të mbetet pa një përgjigje të ashpër pasi Irani goditit objektivat kryesore ushtarake dhe të sigurisë në Izrael. Frika se Irani dhe SHBA mund të tërhiqen në një luftë rajonale është rritur. Shtëpia e Bardhë paralajmëroi për pasoja të rënda për Iranin.
Të paktën 180 raketa balistike u lëshuan nga Irani, të cilat panë mbi Tel Aviv dhe Jaffa (Xhafa).
Sulmi zgjati rreth një orë dhe më pas ushtria izraelite lejoi qytetarët të dalin nga vendstrehimet. Burimet nga Irani tregojnë se 80% e raketave të lëshuara goditën objektivat. Sulmi erdhi si një hakmarrje ndaj ofensivës në Liban si dhe vrasjeve të fundit të udhëheqësve të Hamasit, Hezbollahut dhe Gardës Revolucionare Islamike.
Nga ana tjetër fluturimet përmes hapësirës ajrore iraniane janë devijuar mes frikës për sulme të tjera. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se sulmi raketor i Iranit ndaj Izraelit dështoi kjo falë suksesit të mbrojtjes ajrore të Izraelit.
Shefi i përbashkët i forcave të armatosura të Iranit, gjeneral-major Mohammad Bagheri ka kërcënuar se do të synojë infrastrukturën e Izraelit, nëse ai ndërmerr ndonjë veprim të mëtejshëm hakmarrës kundër Teheranit. “Nëse Izraeli dëshiron të vazhdojë këto krime kundër sovranitetit dhe integritetit tonë territorial, operacioni do të përsëritet disa herë më fuqishëm”, tha Bagheri. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, e ka cilësuar lëshimin e gati 200 raketave balistike nga Irani në Izrael një agresion.
Por pavarësisht thirrjeve për një armëpushim nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut vazhduan edhe mëngjesin e së mërkurës. Izraeli vijoi bombardimet e tij në periferitë jugore të Bejrutit, një bastion i grupit të armatosur të Hezbollahut të mbështetur nga Irani, duke shkatërruar dhjetra objektiva ushtarake që i përkisnin grupit.
Shpërthime u dëgjuan pranë aeroportit të Bejrutit në orët e para të së mërkurës. Ushtria e Izraelit kishte lëshuar urdhra të rinj për evakuim në periferitë jugore të Bejrutit. Gati 1,900 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 9,000 janë plagosur në Liban në luftimet ndërkufitare, shumica në dy javët e fundit.
Klan News