Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në Tv Klan ishte këngëtarja shumë e njohur Irini Qirjako. Ajo është një nga emrat më të shquar të këngës popullore, e veçanërisht asaj polifonike.
Qirjako u shpreh se karantina po shkon shumë mirë dhe dita e saj pavarësisht se në izolim është mjaft intensive.
Irini Qirjako: Po e kaloj mirë sepse ishte shumë kohë, shumë vite që ne nuk mblidheshim në shtëpi kaq gjatë dhe me thënë të drejtën kalon dita aq bukur, intensive dita. Në mëngjes ngrihem dhe laj verandën me kënaqësi, bëj koncert, këndoj, pastaj studioj piano, bëj gatimin dhe vjen pasditja bëj fiskulturë, ju e dini, se ti ma ke nxjerrë sekretin mua, bëj ecje në verandë dy orë.
Rudina Magjistari: Ai sekret i bukur duhej ndarë me të gjithë, se ti ishe një shembull motivimi i jashtëzakonshëm.
Këngëtarja shprehet se jeta është gjëja më e shtrenjtë që njeriu ka dhe prandaj për hir të saj njerëzit duhet të rrinë brenda.
Irini Qirjako: U mësova është një gjë që duhet më patjetër të rrimë brenda, se jeta është gjëja më e shtrenjtë që ka njeriu dhe kur mendon për jetën, patjetër që të tjerat janë një hiç gjë, që kështu bukur edhe këtu. Ne artistët jemi shumë të lëvizshëm, jemi në lëvizje më miq, shok dhe koncerte, na mungon, por përsëri mirë jemi dhe këtu ku jemi, sa të kalojë kjo e keqja e madhe. /tvklan.al