Dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër kryeministrit Viktor Orban në Budapest të udhëhequr nga Peter Magyar, dikur i afërt me administratën, por tani një kundërshtar.
Protestuesit marshuan drejt parlamentit, disa prej tyre duke thirrur “Nuk kemi frikë” ,”Orban jep dorëheqjen!”
“Unë e respektoj Peter Magyar dhe besoj se ai do ta nxjerrë këtë vend nga kjo situatë korruptive, e cila po shkon në drejtim të Koresë së Veriut. Ai është i vetmi njeri tek i cili mund të shoh shpresë.”
Péter Magyar, një ish-anëtar i partisë në pushtet Fidesz, tani është në një mision për të bindur hungarezët se qeveria e Orbanit duhet të mposhtet. “Dy muaj më parë, askush nuk më njihte në Hungari. Tani kemi një mision, rrëzimin e kësaj qeverie korruptive”, tha Magyar.
43-vjeçari tërhoqi vëmendjen kombëtare kur denoncoi hapur ish-bashkëshorten e tij, e cila dikur ishte ministre e Drejtësisë e vendit Judit Varga për korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë. Ai ka kritikuar jo vetëm Orbanin, por edhe disa nga kundërshtarët e qeverisë duke kërkuar nga hungarezët konservatorë, të majtë dhe liberalë që t’i bashkohen lëvizjes së tij.
Por lëvizja e re ka tronditur dukshëm partinë në pushtet. Sipas të dhënave të publikuara nga e përjavshmja e lajmeve HVG, 68% e votuesve mbështesin hyrjen e Magyarit në fushën politike dhe 13% e tyre thanë se kishin të ngjarë të mbështesnin partinë e tij.
Megjithatë, disa politikanë dhe mbështetës të opozitës kanë shprehur skepticizëm për Magyar dhe strategjinë e tij. Më herët duke folur për përpjekjet e tij për të përmbysur peizazhin tradicional politik, Magyar vuri në dukje shembullin e presidentit francez Emmanuel Macron i cili u largua nga Partia Socialiste dhe krijoi një lëvizje centriste. Goditja ndaj kryeministrit Orban vjen në një kohë politikisht të ndjeshme përpara zgjedhjeve parlamentare evropiane në Qershor.
Klan News