Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Doganat janë në gjendje të rënduar, si pasojë e keqmenaxhimit dhe shkarkimeve të shpeshta. Ky ka qenë reagimi i ish-drejtorit të përgjithshëm të doganave Petrit Ago.

Petrit Ago:- “Po si mundet që një doganë, që fillon punë në 1 Janar, brenda një viti të ndërrojë 4-5 drejtorë. Të ndërrohen drejtorët e anti-kontrabandës, 4-5 brenda një viti. Të gjithë duhet ta kuptoni, që cilido që merr një detyrë, fillon nga e para”.

Shkarkimet sipas Agos janë vetëm një justifikim i padobishëm.

Petrit Ago:- “Në vend që të bëhet analizë konkrete, cila është arsyeja e vërtetë e këtyre rezultateve, kam mendimin që mundohen të gjejnë, të shpërndajnë përgjegjësitë, të gjejnë armiq të brendshëm, sabotatorë të jashtëm, vetëm e vetëm për të justifikuar këtë situatë të rëndë që është në shërbimet doganore”.

Ago akuzon, se gjendja e mbledhjes së të ardhurave është e rënduar. Sipas tij, problemet në dogana nuk kanë mundur t’i shmang as Ministria e Financave.

Petrit Ago:- “Heshtja e Ministrisë së Financave, e drejtorisë së kontrollit pranë Ministrisë së Financave, tregon që dikujt i intereson që të manifestohet një gjendje e rreme”.

Doganat duhet t’i nënshtrohen reformave të thella sipas Agos, për të mos cenuar buxhetin e shtetit.

Petrit Ago:- “Sistemi fiskal do të jetë i papërgatitur dhe mirë viti 2003, që do të ketë përfundime negative, por sfida e vitit 2004 do ta gjejë të papërgatitur shërbimin doganorë dhe tatimor dhe pasojat do të jenë tepër të konsiderueshme”.

Vetëm disa ditë më parë, doganat u përfshinë nga shkarkime të 7 krerëve qendror dhe lokal me motivacionin e rritjes së të ardhurave. Doganat në Korrik kanë deklaruar deficitin në mbledhjen e të ardhurave që sigurojnë gjysmën e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm./tvklan.al