Suedia rikthehet në Tiranë për një ndeshje zyrtare me Shqipërinë pas 20 vjetësh.
Kombëtarja nordike, e cila është një nga pretendentet për vendin e parë në grupin tonë eliminator në Kupën e Botës 2010, nuk e pati të lehtë të fitonte në “Qemal Stafa”, në përballjen e 5 Nëntorit të 1988-tës.
Përfaqësuesja suedeze, e cila e mbylli e para grupin kualifikues të Botërorit 1990, finalet e të cilit u mbajtën në Itali, fitoi 2 m 1 sfidën e parë me kuqezinjtë, ndërsa golin e vetëm për ne e realizoi Ylli Shehu.
Sulmuesi i njohur i Partizanit, i cili pati dhe debutimin me kombëtaren në atë sfidë kujton atë ndeshje të nisur mbarë për ne.
Ylli Shehu: “Zhvilluan një lojë shumë të bukur si ekip, kurse unë ndeshjen time më të mirë. Krijuam raste shumë. Unë kam shënuar golin e avantazhit në ato momente. Emocionet kanë qenë të mëdha se stadiumi ka qenë i mbushur plot. Mund të them që kemi humbur shumë raste. Ky rezultat mund të thellohej më shumë”.
Ylli Shehu nuk nguron të krahasojë Suedinë e fundit të viteve ’80 me atë të sotmen duke dhënë edhe parashikimin e tij për takimin e së shtunës.
Ylli Shehu: “Kishin përbërje lojtarësh shumë me emër, më shumë sesa tashi, për shembull, duke parë që vetëm një Ibrahimoviç është kurse të tjerët janë lojtarë të thjeshtë”.
Gazetari: Si e parashikoni rezultatin?
Ylli Shehu: “Duke u nisur nga ndeshja e fundit miqësore nuk jam optimist, por me emrat që ka thirrur trajneri i ri mendoj që do ketë, do jetë një lojë e barabartë”./tvklan.al