Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, nuk i shpëtoi Prokurorisë së Posaçme as në një ditë pushimi zyrtar.

Bashkë me avokatin e tij, ai u paraqit në orën 10:00 të kësaj të mërkure pranë SPAK i thirrur në kuadër të një hetimi pasuror që po kryhet ndaj tij.

Në dalje nga Prokuroria, Tushe konfirmoi për mediat që çështja lidhej me një mosdeklarim pasurie.

“Isha për një mosdeklarim pasurie, do të marrim vesh herën tjetër”, tha ai.

Burime zyrtare pranë SPAK konfirmojnë për Tv Klan se ndaj tij është regjistruar një procedim pasuror gjatë kohës që u hetua dhe gjykua për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.

Të njëjtat burime konfirmojnë se hetimi pasuror kaloi në sitë pronat e ish-zyrtarit dhe deri më tani ka dyshime se ka fshehur një apartament në bregdet.

Ndërkohë për të dy akuzat ish-kryebashkiaku u gjet fajtor me vendim të formës së prerë dhe u denua me 2 vite e 4 muaj burg, dënim që tashmë e ka shlyer.

Ai u vu në pranga në Verën e 2021 bashkë me disa vartës të Bashkisë së Lushnjës me dyshimet se kishin abuzuar me tenderat dhe fondet publike.

Tv Klan