“Në çdo përvjetor martese, i zbukuron dhomën me petale, për çdo ditëlindje i bën dhurata dhe surpriza. Mund të themi që nuk jeton dot pa të”, e nisi prezantimin e protagonistes së radhës në “Ka Një Mesazh Për Ty” drejtuesi i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea. Në studio hyri Esmeralda e cila tregon se personi që ia bën të gjitha këto surpriza nuk është bashkëshorti.
Rrëfimi i saj është plot emocione dhe gjithçka fillon në dyqanin e luleve ku ajo punonte me një kliente që u kthye në mikeshë, i hapën zemrën njëra-tjetrës dhe sot janë nuse e vjehrrë.
Esmeralda: Për mua është personi më i shtrenjtë.
Ardit Gjebrea: Që të bën gjithë këto gjëra!
Esmeralda: Ka bërë gjithçka për mua, atë e kam njohur para bashkëshortit tim. Unë punoja në një dyqan lulesh dhe vinte e blinte gjithnjë lule sepse shkonte në varreza. Ka humbur djalin e saj dhe ne u bëmë mikesha shumë të mira.
Ardit Gjebrea: Kishte humbur djalin e saj, në çfarë moshe?
Esmeralda: 19-20 vjeç. Bashkë ne u bëmë mikesha shumë të mira sepse ndërkohë që vinte blinte lule, ne komunikonim bashkë, bënim biseda të gjata por ajo ka një mirësi që shumë rrallë njerëz e kanë. Edhe pse me gjithë këto dhimbje të forta që ajo ka kaluar në jetë, ajo dhimbjen e vet e ka kthyer në forcë. Në fillim unë nuk e pyesja shumë sepse nuk doja ta trishtoja, nuk doja ta prekja aty ku asaj i dhembte se normalisht dihet, kur tjetri ka dhimbje kuptohet derisa arriti një moment që ajo vetë më ka treguar historinë e kësaj humbjeje. Përveç kësaj humbjeje, përpara kësaj ka humbur edhe një vëlla në moshë shumë të re. Ka shumë pengje në jetë, shumë vuajtje. Ne u bëmë shumë të afërta bashkë pa e ditur që ajo vinte vazhdimisht dhe kishte diçka në mendjen e saj. Ajo vinte vazhdimisht dhe më sugjeroi që të njihesha me çunin e vet të vetëm, bashkëshorti im aktual.
Ardit Gjebrea: Pra po flet për vjehrrën tënde.
Esmeralda: Po.
Ardit Gjebrea: Që quhet?
Esmeralda: Manushaqe.
Në këtë atmosferë të bukur familjare, ndodh edhe një humbje tjetër sepse vjehrri i Esmeraldës ndërron jetë. Prej tij, ajo ruan në mendje fjalët e përzemërta që i thoshte.
Esmeralda: Dy vite pas martesës sonë, ndërroi jetë edhe babi.
Ardit Gjebrea: Ti u thërret babi dhe mami?
Esmeralda: Po u thërras sepse e kam gjetur atë dashuri tek ata. Vjehrri im më thoshte “të dua si vajzë dhe të respektoj si nuse”.
Në vitin e parë të martesës çifti u gëzua me një vajzë që mori emrin e xhaxhait të saj të ndjerë e më pas me një djalë. Ky është gëzimi i Esmeraldës që vjehrri i saj mundi t’i njihte nipin e mbesën. Lidhur me vjehrrën, ajo ndihet shumë e lumtur nga ndjesitë që i fal, por dëshiron që edhe Manushaqja të përjetojë gëzimet e tyre.
Esmeralda: Nuk e them se dua të mburrem, por mua ajo më ka bërë të lumtur në çdo moment.
Ardit Gjebrea: Për sa kohë që vazhdon të ta mbushë dhomën me petale kur ke përvjetorin e martesës…
Esmeralda: Çdo vit nuk mungon asnjë ditë dhe jo vetëm për përvjetore, edhe për ditëlindje. Vetëm se unë dua që ajo të jetë më e përfshirë në gëzimet tona.
Ardit Gjebrea: Pse?
Esmeralda: Sepse ajo vërtet më bën mua të lumtur, por thellë-thellë ajo vetë nuk është prezente në gëzimet e familjes.
Ardit Gjebrea: A jetoni bashkë?
Esmeralda: Po ne jetojmë, por ne kur dalim, udhëtojmë, ajo nuk vjen me ne. I duket sikur po të gëzojë më shumë se ç’duhet, sikur po bën ndonjë gabim nuk është e plotësuar, ajo jeton vetëm për të na bërë ne të lumtur.
Ardit Gjebrea: Çështje mentaliteti apo ndjesie?
Esmeralda: Unë mendoj ndjesi se s’ka lidhje mentaliteti, një grua që bën këto gjëra s’ka një mentalitet të ngushtë. Ka mungesa, nuk e ka të gjithë shpirtin plot./tvklan.al