Lajme Arkiva 2004

Gazetarja:“Përshëndetje zoti Kadare!”

Ismail Kadare: “Përshëndetje!”

Gazetarja:“Atëherë cili është komenti juaj për ngjarjet më të fundit në Kosovë?”

Ismail Kadare: “Mendoj se kanë qenë ngjarje më tragjike pas lirimit të Kosovës, çlirimit dhe nuk duhet të ndodhin kurrsesi. I kanë sjellë një dëm të  madh Kosovë, një dëm të madh çështjes shqiptare në përgjithësi. Mendoj se është goditur rëndë fitorja më e madhe që ka arritur populli shqiptar, afrimi me perëndimin, krijimi i aleancave me botën perëndimore. Për fat të keq, kemi shkelur me këmbë këto 2-3 ditë, domethënë Shqipëria përsëri, Kosova bashkë me Shqipërinë, me shqiptarët kanë rrezik që të kthehen mbrapsht në izolim si përpara dhe kjo ka qenë ëndrra  e Serbisë dhe kjo ka qenë ëndrra e Enver Hoxhës. Domethënë për Serbinë ka qenë humbja më e madhe që Shqipëria u afrua me aleancat euroatlantike dhe për Enver Hoxhë ka qenë tmerrimi më i madh po të ishte gjallë dhe  të dëgjonte. Pra me këtë që u  bë  këto ditë, në mënyrë  të verbër u godit liria e Kosovës, u godit e ardhmja e saj, iu goditën aleatët tanë në mënyrë të pabesë dhe s’ka pse ti kontrollojmë fjalët. Unë i kuptoj fare mirë të gjitha problemet që  kanë shqiptarët në Kosovë, i kuptoj fare mirë pakënaqësitë e tyre atje ku kanë të drejtë dhe ata  kanë të  drejtë të kërkojnë shumë gjëra, në radhë të parë trajtim të barabartë me të tjerët, në radhë të parë të pushojnë provokimet e shëmtuara nga  Beogradi dhe të gjitha këto. Por të gjitha këto s’mund të krijonin, s’mund të justifikonin që  ta të binin në këtë kurth dhe të loznin praktikisht lojën e serbëve”.

Gazetarja:“Por, zoti Kadare, a mendoi se çështja e Kosovës mund të riparohet pas  kaosit të ditëve të fundit”

Ismail Kadare: “Shikoni pra, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që këtu u bë një humbje e madhe, një dëm i madh, mirëpo unë jam gjithmonë me atë që edhe në çaste të vështira një popull duhet të kërkojë rrugën e daljes gjithmonë, si ta riparoj të keqen. I vetmi riparim i të keqes në këtë rast është që shqiptarët në mënyrë të thellë ta kuptojnë atë që kanë bërë, ta kuptojnë gabimin kur sulmuan shtëpitë serbe dhe kishat serbe dujke kujtuar se po i  sjellin ndonjë gjë  të mirë kauzës shqiptare. Duhet ta kuptojnë këtë  gjë, duhet ta kuptojnë sidomos kur sulmuan aleatët e tyre, kur sulmuan Bashkinë Ndërkombëtare, kur sulmuan aleancat atlantike, kur dogjën flamurin e aleancës. Të gjitha këto! Ata duhet të kuptojnë thellë se kanë bërë një gjë të palejueshme të pandreqshme gati. Megjithatë e vetmja ndreqje që mund të bëhet, riparim, do të  jetë që ata…  Kjo ti shërbej së paku si një mësim që kokat e nxehta nuk duhet kurrë të vënë  zemërimin e verbër, përpara interesave të kombit, përpara interesit të lirisë. Ata kanë shkelur, është shkelur gjëja më e shenjtë në këtë rast dhe kjo gjë duhet riparuar se s’bën. Duhet ata ta dënojnë këtë gjë, të distancohen nga gjithë ato pjesë të errëta të Kosovës që janë përzier në këtë histori. Dhe këtu janë përzierë njerëz naiv padyshim, por janë përfshirë dhe njerëz të fajshëm. Këtu janë përfshirë me  siguri shërbimet sekrete të huaj, janë përzierë me siguri aventurier shqiptarë, janë përzier pse jo nostaligjik të komunizmit. Domethënë gjithfarë lloj përzierjesh ka patur në këtë histori dhe populli shqiptar me guxim atje duhet me guxim të ndahet nga  kjo e keqe. Ky është i vetmi riparim që bëhet në mënyrë që ai dalëngadalë të rivendosi prapë, të vendosë të tregojë  se është  një popull i qytetëruar, që për fat të keq këto ditë nuk  tregoi aspak”./tvklan.al