Policia italiane sekuestroi sasinë rekord prej 37 ton tableta tramadol, e njohur ndryshe si “droga e luftëtarit”. Ngarkesa e madhe me ilaçe u kap në portin e Genovas, e fshehur në 3 kontenierë në dukje për transportimin e shampove dhe batanijeve. Destinacioni i “drogës së luftëtarit” ishte Libia.

Sipas hetuesve italianë, ilaçet do të shiteshin për të financuar organizatat terroriste dhe njëkohësisht do t’u shpërndaheshin luftëtarëve për t’i përgatitur në beteja. Ekspertët në Itali shpjegojnë se këto tableta bëjnë pjesë në kategorinë e hapave kundra dhimbejve. Në vende si Siria, Iraku apo Libia këto medikamente përdoren masivisht nga luftëtarët për të larguar dhimbjen dhe urinë. Sipas agjencisë amerikane anti-drogë DEA, terroristët përfitojnë miliona nga trafiku i tramadolit. Nga përllogaritjet, 37 tonët e sekuestruar u kanë kushtuar trafikantëve 850 mijë euro, ndërsa vlera e shitjes së saj shkon rreth 75 milionë euro.

 

Tv Klan