Kroacia do të radhitet përkrah Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, ku gëzon mandat 2-vjeçar si anëtare jo e përhershme.

Kështu u shpreh në komisionin evropian kryeministri kroat, Ivo Sanader, lidhur me iniciativën serbe për të kërkuar opinion ligjor pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Sanader shpjegon se fillimisht do të zhvillohen bisedime mes shteteve anëtare, por sigurisht sipas tij është e rëndësishme që të përmendet dhe partneriteti transatlantik mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Ai shpjegon se Kroacia nuk do të ndërmarrë një politikë të vetën në këtë çështje, por do të jetë pjesë e komunitetit transatlantik.

Ndërsa presidenti i komisionit evropian, Jose Manuel Barroso, këshilloi Serbinë që të tregohet konstruktive në dallimet që ka me shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që e ka njohur Kosovën në të mirë të integrimit të saj.

Është e rëndësishme që nëse ka mosmarrëveshje ashtu sikundër e dimë që mbi Kosovën ka mosmarrëveshje mes Serbisë dhe pjesës më të madhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, unë shpresoj shumë, thotë Barroso, që diskutimet të bëhen në nivele politike, diplomatike dhe në mënyrë konstruktive.

Iniciativa e Serbisë pritet të konkretizohet gjatë javës së tretë të Shtatorit, kur do të mbahet dhe asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të organizatës, ndërkohë që shefi i zyrës ndërkombëtare civile në Kosovë, Peter Faith, ka raportuar në Bruksel para komisionit të jashtëm në parlamentin evropian, si dhe ndaj komisionerit për zgjerim, Olli Rehn, mbi ecurinë e vendit që nga momenti i shpalljes së pavarësisë.

I dërguari i posaçëm i BE-së vlerësoi si të qëndrueshme situatën atje dhe të qetë gjatë shtatë muajve të fundit.

Faith ka vlerësuar bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe përpjekjet e bëra në kuadrin ligjor për mbrojtjen e minoriteteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe decentralizimin./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj