Këtë të premte, ushtria izraelite goditi një tjetër bazë të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në jug të Libanit, duke plagosur dy efektivë të kaskave blu.

Në këtë bazë, ndodhen edhe trupa italiane, baza të tjera e të cilëve u sulmuan edhe të enjten. Ministri italian i mbrojtjes, Guido Kroseto protestoi ashpër, ndërsa ushtria izraelite tha se do të niste menjëherë hetimet për rastet dhe se bëhet fjalë për një ngatërresë në goditjen e trupave të Hezbollahut.

“Por sulmi ndaj trupave UNIFIL u dënua me forcë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guiterrez, i cili tha se kjo ishte nje shkelje e drejtës humanitare. Ministri i Jashtëm Francez thirri ambasadorin e Izraelit, duke e cilësuar si të papranueshëm sulmin. Pentagoni bëri të ditur se Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin foli me Ministrin e Mbrojtjes Izraelit duke i theksuar rëndësinë e garantimit të trupave paqeruajtës të misionit të OKB.”

Sakaq, bombat izraelite nuk kursejnë as qendrën e Bejrutit. Në këto pamje shfaqen rrënojat e disa pallateve të banimit në qendër të kryeqytetit libanez që u rrafshuan nga bombat e avionëve izraelitë gjatë natës. 22 persona humbën jetën dhe 117 të tjerë u plagosën, në sulmin që kishte në shenjestër Uafik Safan, një eksponent të lartë të Hezbollahut, i cili mendohet të ketë shpëtuar.

Ushtria izraelite njoftoi se më shumë se 100 raketa u lëshuan nga trupat e Hezbollahut, ndërsa u interceptuan 80 prej tyre. Izraeli njoftoi se në nderim të ditës së shenjtë të shlyerjes, shërbimet u mbyllën porse vendi ndodhet në gjendje lufte, emergjente, per here te pare pas vitit 1973 ku ishte ne konflikt ushtarak me Egjiptin.

Tv Klan