Tel Avivi dhe Hamasi janë duke bërë përpjekje të reja drejt një marrëveshjeje armëpushimi qoftë edhe të kufizuar, për herë të parë që prej një viti. Marrëveshja do të ndalonte luftimet në Rripin e Gazës dhe do të kthente në Izrael disa nga pengjet që ende mbahen në enklavën palestineze.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, i tha Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin në një telefonatë se tani ekziston një shans për një marrëveshje të re që do të lejonte kthimin e të gjithë pengjeve, përfshirë qytetarët amerikanë.
Megjithatë, një diplomat perëndimor në rajon tha se marrëveshja ka të ngjarë të jetë e kufizuar, duke siguruar lirimin e një numri të vogël pengjesh dhe një ndërprerje të shkurtër të luftimeve. Një armëpushim i tillë do të ishte i dyti që nga fillimi i luftës në Tetor 2023.
Ndërkohë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka kërkuar që militantët e grupit palestinez të Hamasit të lirojnë pengjet e mbajtura në Gazë përpara se ai të marrë pushtetin nga Biden më 20 Janar përndryshe, militantët do ta paguajnë shtrenjtë.
Klan News