Komandanti i lartë i Hezbollahut, Ibrahim Aqil u vra të premten gjatë bombardimeve të Izraelit në rajonet jugore të Libanit. Ai u vra ndërsa ishte në një takim me pjesëtarë të njësive elitë Radwan të Hezbollahut.
Lajmin e konfirmoi edhe zëdhënësi i ushtrisë izraelite, duke theksuar se nga sulmi ajror se bashku me të u vranë 10 komandantë të Hezbollahut.
Në sulmin e ndodhur në jug të Libanit sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, bilanci i viktimave është rritur në 14, ndërsa 66 janë të plagosur.
Sipas Haartez, Aqil doli nga spitali këtë premte pasi u plagos nga shpërthimi i biper-ave.
Ai ishte anëtar i lartë i Këshillit të Xhihadit, organi më i lartë ushtarak i Hezbollahut dhe kërkohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi në vitin 1980 kishte marrë peng ushtarë amerikanë dhe gjermanë, pas një sulmi në një kazermë marine në Bejrut. Uashingtoni kishte vendosur shpërblimin 7 milionë dollarë amerikane për kapjen e tij.
Kryeministri i Izraelit Beniamin Netanjahu tha pas sulmit se qëllimet e shtetit të tij janë të qarta dhe se veprimet e ndërmarra flasin vetë. Por ministri i Jashtëm i Iranit dënoi ashpër këtë sulm duke e cilësuar si të paprecedentë, në shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe dhunimit të integritetit territorial të Libanit.
Tv Klan