Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, garanton se po bën gjithçka është e mundur në pozicionin e tij për të shtyrë vendet anëtare të aleancës që të mbyllin sa më shpejt procesin e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Shpresoj që 26 vendet anëtare do të jenë në gjendje të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Kroacinë përpara samitit të NATO-s që mbahet në pranverë të vitit të ardhshëm dhe unë po bëj ç’është e mundur, veçoi sekretari i përgjithshëm Scheffer, për t’i shtyrë këto vende, për të mbyllur në kohë procesin. E di që në disa shtete, përfshi këtu dhe vendin tim në Holandë ratifikimi është një proces që mund të marrë kohë, por unë nxis jo vetëm vendin tim, por dhe aleatët e tjerë që ta bëjnë të mundur realizimin në kohë, tha Scheffer.

Këtë deklaratë sekretari i përgjithshëm i NATO-s e dha gjatë konferencës për shtyp me presidentin maqedonas.

Scheffer tha se procesi i rregullt zgjedhor dhe zgjidhja e çështjes së emrit është kyç për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Deri tani protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është ratifikuar nga parlamenti i Hungarisë, Letonisë dhe senati amerikan të premten e kaluar.

Anëtarësimi i plotë në NATO vlerësohet i rëndësishëm dhe për përshpejtimin e procesit integrues në Bashkimin Evropian jo vetëm në aspektin politik dhe ushtarak, por dhe në këndvështrimin praktik meqenëse vendet anëtare të BE-së janë dhe aleatët e pritshëm për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit në NATO./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj