Ambasadori amerikan Xhejms Xhefri (James Jeffrey) vizitoi rajonin e Korçës për t’u informuar rreth punës që kanë bërë shqiptaro-amerikanët si dhe lidhur me projektet që ekzistojnë për investime në fusha të ndryshme. Ambasadori Xhefri u shpreh se lobi shqiptaro-amerikan me origjinë nga Korça ka një potencial të fuqishëm ekonomik dhe se ata do të investojnë në këtë qytet vetëm kur të shohin rezultate konkrete.
“Unë vërej se në rajonin e Korçës ka një ndjenjë përgjegjësie dhe organizative që stimulon zhvillimin, ka rend dhe qetësi”, shtoi ambasadori. Në takimin me kreun e prefekturës Paqësor Zeneli diplomati amerikan u interesua për minoritetin grek. Prefekti informoi se në rajon ka vetëm minoritet maqedonas me të cilët ekziston harmonia e plotë. “Në Korçë jemi të integruar dhe të përfaqsuar”, tha ndër të tejra prefekti i qytetit duke marrë shembull përgjegjsin e Zyrës së Koordinimit që i përket minoritetit maqedonas. Një ditë më parë ambasadori amerikan ishte në qytetin e Leskovikut ku u njoh me situatën dhe problemet e qytetit. Ai premtoi se investimet amerikane do t’mbrrijnë edhe në Leskovik. /tvklan.al