Janari ka shtuar ndjeshëm numrin e vizitave tek mjeku pediatër, të fëmijëve. Qëndrat shëndetësore po përballen me një fluks të shtuar të pacientëve të vegjël, të cilët çdo ditë e më shumë po preken nga virozat e stinës.
Gjatë Janarit, një mjek pediatër ka patur mesatarisht deri në 45 vizita në ditë, ku nuk kanë munguar edhe fëmijët që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
“Vizitat kanë qenë rreth 25-45 në ditë për secilin mjek, ndaj bilanci i muajit shkon deri në 700-800 vizita për mjek, nga këto mund të kemi pasur rreth 20-30 fëmijë pozitivë. Mosha e kopshtit, parashkollor, shkollat dhe adoleshentët”.
Specialistët shprehen se problem mbeten prindërit që përdorin antibiotikë pa konsultën e mjekut, pasi ky i fundit vendos për diagnozën e saktë të fëmijës.
“Ne e mirëkuptojmë që ta ndihmojë sa më shpejt, por nuk pajtohemi me faktin që prindi ta fillojë vetë antibiotikun. Këshillojmë gjithmonë për vitamina, paracetamol e ibuprofen që të mbahet temperatura nën kontroll, por asnjëherë të arrijë të vetëdiagnostikohet dhe një terapi me antibiotikë”.
Mjekët nënvizojnë se nuk duhet anashkaluar asnjë simptomë te fëmijët gjatë kësaj periudhe për shkak të virozave dhe variantit “Omicron” të Covid-19.
Klan News