Nga e dita e enjte në Shkup do të startojë “Java e solidaritetit” gjatë të cilës janë paraparë evenimente të shumta për grumbullimin e ndihmave për popullatën nga rajonet e përmbytura të Shqipërisë. Java do të hapet me koncert të madh humanitar që do të mbahet në sallën e sporteve “Kale” në Shkup, me moton “Shkupi për Shkodrën”.

Shapi Zendeli: “Mund të konfirmoj domethënë pjesëmarrjen e disa  emrave … të estradës popullore dhe asaj zbavitëse që janë … edhe të Kosovës edhe të Maqedonisë edhe ansambleve që … mjetet që do të grumbullohen, do të dedikohen domethënë në ndihmë të Shkodrës dhe rajonet që janë kapluar nga përmbytjet.”

“Java e solidaritetit” organizohet nga komunat Çair, Saraj dhe Studeniçan, si komuna të Shkupit me shumicë shqiptare. Në kuadër të kësaj jave është paraparë edhe hapja e një ekspozite, kurse mjetet që do të grumbullohen nga shitja e pikturave, gjithashtu do të dedikohen për familjet shkodrane që kanë pësuar dëme.

Shefqet Zekolli: “Pastaj edhe në forma të tjera organizimi të ekspozitave shitëse të Shoqatës së Piktorëve. Për shqiptarët e Shkupit dhe Maqedonisë në përgjithësi është një javë e ngjeshur me aktivitete të shumta.”

Gjatë “Javës së solidaritetit” në komunën Çair do të funksionojë edhe një shtab emergjence në të cilin qytetarët munden të donojnë ndihmat e tyre, kurse do të hapet edhe xhirollogari e posaçme në të cilat qytetarët e interesuar do të munden të derdhin ndihma në të holla. Para dy ditëve në Maqedoni janë hapur edhe tri linja telefonike në të cilat qytetarët me çdo thirrje munden të dhurojnë nga 100 dinarë.

Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al