Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Grupi i ekspertëve të OSBE-së ka paraqitur raportin përfundimtar për balancimin e KQZ. Sipas një varianti, në nenin 22 të kodit zgjedhor parashikohet të shtohet një dispozitë tranzitore, ku anëtarët aktual të KQZ të dorëzojnë detyrën e të rizgjidhen nga e para.

Ndërsa varianti tjetër i propozuar nga ekspertët e OSBE-së është ndërhyrja në nenin 154 të Kushtetutës, që synon kontrollin politik të KQZ nëpërmjet propozimeve nga partitë politike. Kështu Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të kenë mundësi të kenë nga tre anëtarë secili dhe një të zgjedhur nga presidenti.

Jemin Gjana: “Për ta bërë këtë ndryshim të nenit 22, të zbatueshëm është hartuar dhe një dispozitë tranzitore, sipas të cilës mbyllen mandatet e anëtarëve të KQZ dhe rindërtohet nga e para KQZ. Secili nga propozuesit ka të drejtë të ripropozojë anëtarë të KQZ dhe ndërkohë i vihet detyrim ligjor Kuvendit të Shqipërisë, që ndërhyjë për t’i sistemuar ata që mund të mbeten jashtë anëtarësisë në këtë komision, në vende pune në administratë, në pozicione paralele me pozicionet që ka pasur në KQZ”.

Por propozimet e paraqitura duket se nuk kanë marrë pëlqimin e PS, që sipas Gjanës tendenca e socialistëve është të mos balancohet KQZ, çka do të thotë, prishje të marrëveshjes së nënshkruar për reformën zgjedhore.

Jemin Gjana: “Nëse socialistët nuk do të përkrahin dhe nuk do të qartësojnë pozicionin e tyre dhe nuk do të pranojnë balancimin e KQZ, atëherë të gjitha problemet e tjera mbeten të komplikuara dhe mbeten përsëri të pazgjidhura, sepse KQZ është maja e piramidës që merret me menaxhimin e  procesit zgjedhor”.

Raporti i OSBE-së do të shqyrtohet për në Shtator dhe komisioni do ta kishte shumë të vështirë të diskutonte çështje të tjera, nëse balancimi i KQZ kundërshtohet nga socialistët./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari