Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ekspertët e OSBE-së kanë përgatitur dy variante të reja për balancimin e KQZ, në mënyrë që të zhbllokohet puna e komisionit për reformën zgjedhore. Këto materiale janë duke pritur edhe anëtarët demokratë në mënyrë që të shkojnë në komision, e të vazhdojë diskutimi për të rikompozuar KQZ, shprehet bashkëkryetari demokrat Jemin Gjana.
Jemin Gjana: “Grupi i ekspertëve pranë prezencës së OSBE-së në Tiranë, ka hartuar dhe dy variante të tjera, të cilat i ndihmojnë problemit të zgjidhjes të balancimit të KQZ. Si bashkëkryetar i komisionit unë pres të marrë zyrtarisht materialin nga grupi i ekspertëve të prezencës së OSBE-së dhe normalisht menjëherë do të kërkojë mbledhjen e komisionit. Variantet e reja janë hartuar në mënyrë të tillë, që janë më të pranueshme në pikëpamje të debatit që bëhet lidhur me kushtetutshmërinë, sepse nuk i ndërpresin mandatet kohore, ndërpresin mandatet për individët.”
Njëri nga variantet që do të paraqesë grupi i ekspertëve të OSBE-së, zëvendëson pjesën e mbetur të mandatit të Maksim Shimanit, ndërsa varianti tjetër, u ndërpret punën 7 anëtarëve të KQZ. Reagimi i socialistëve për të pranuar një nga këto propozime pritet në mbledhjen më të parë të komisionit. Bllokimi i reformës zgjedhore u diskutua me shqetësim edhe nga kryetari i PD Sai Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar./tvklan.al