Dorëheqja e Prokurorit Jack Smith nga Departamenti i Drejtësisë, ishte e pritshme. Megjithatë, tashmë kjo është zyrtarizuar pasi sipas një dosjeje gjyqësore të dorëzuar të shtunën, Smith njoftoi largimin nga Departamenti i Drejtësisë të premten.
Një ish-prokuror për krimet e luftës Smith ngriti dy nga katër çështjet penale me të cilat Trump u përball pas largimit nga detyra. Çështja e dokumenteve të të klasifikuara dhe ajo e përpjekjeve të Trump për të ndërhyrë në rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Çështjet e Smith kundër presidentit të zgjedhur u mbyllën vitin e kaluar pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale. Pasi Trump mposhti nënpresidenten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e 5 Nëntorit.
Prokurori Smith hoqi dorë nga të dyja rastet, duke iu referuar një praktike të hershme të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës, presidentët që janë duke ushtruar detyrën, nuk mund të jenë subjekt i hetimeve federale.
Largimi i prokurorit Smith është një tjetër dëshmi e rënies së çështjeve penale kundër Trump, të cilat mund të përfundojnë pa asnjë pasojë ligjore për presidentin e ardhshëm dhe në kohën kur u ngritën nxitën një reagim që ndihmoi në rikthimin e tij politik.
Klan News