Prokuroria i ka qëndruar kërkesës për shpalljen fajtor të Agim Pepës për vrasjen për shkak të detyrës së komisarit Gani Malushi. Përfaqësuesit e akuzës i kërkuan Gjykatës së Krimeve të Rënda dënimin me ‘burgim të përjetshëm’ të të pandehurit Agim Pepa, jo vetëm për ekzekutimin e komisarit Malushi, por edhe të shoferit të tij i cili humbi jetën në të njëjtin atentat. Për të akuzuarin tjetër Nikolin Prenga prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burg për akuzën e ‘pengimit të zbardhjes së të vërtetës’. Sipas prokurorisë, vetëdorëzimi i Pepës ka qenë një rrethanë lehtësuese për të pandehurin, ndonëse ai ka dashur ta përdorë këtë për të shtrembëruar faktet e ngjarjes. Kjo ka nervozuar të pandehurin i cili ka fyer palën akuzuese, për këtë aryse është ndërprerë seanca e cila do të pasohet nga deklarimet e vetë Pepës dhe avokatit të tij mbrojtës. Këta të fundit pretendojnë se komisari Gani Malushi është vrarë aksidentalisht pasi Pepa ka qëlluar shoferin e tij për çështje gjakmarrjeje. /tvklan.al