Vetëm dy dite nga aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat ne BE, qeveria merr te tjera garanci të forta për të mbyllur sa më parë procesin e shqyrtimit të kërkesës.

Presidenti i komisionit evropian, Jose Manuel Barroso, i tha kryeministri Sali Berisha se do të punojë me qeverinë shqiptare që kjo të ndodhë sa më parë.

Afati më i mundshëm duket të jetë presidenca e radhës e unionit, ajo suedeze. Besim që rrjedh nga një tjetër garanci e fortë këtë here nga kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeld, vend i të cilit që prej 1 Korrikut të këtij viti do të ketë presidencën e radhës së Këshillit te Evropës.  

Jose Manuel Barroso: “Ne po punojmë shumë mirë me Shqipërinë. Është e rëndësishme të behet progres. Nuk dua të jap datë, por ne po punojmë ne mënyrë konstruktive me Shqipërinë.”

Fredrik Reinfeld: “Diskutova me kryeministrin Berisha mbi rëndësinë e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit perëndimor. Ne do ta marrim aplikimin, do ta shqyrtojmë atë në mënyrën e duhur dhe shpresojmë të shohim një të ardhme me një BE të zgjeruar.”

Qeveria shqiptare u mbështet fort në këtë vendimmarrje për aplikim nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët janë shprehur hapur pro perspektives evropiane sa me te shpejte për Shqipërinë.

Mirek Topolanek, kryeministër i Çekisë njëkohësisht president i këshillit të Evropës garantoi angazhimin e posaçëm te vendit te tij qe faza e shqyrtimit te kërkesës te mbyllet brenda presidencës suedeze.

Takimet me presidentin e komisionit evropian dhe kryeministrin e Suedisë, kryetari i qeverise shqiptare i zhvilloi ne Varshavë, ku prej dy ditësh zhvillon punimet kongresi i jashtëzakonshëm i partive popullore evropiane.

Barroso kryesonte një prej paneleve te rëndësishme te zhvilluara ne kuadër te këtij organizimi politik, atë te titulluar, “Te jetosh Evropën”. 

Dje kryetari i qeverise shqiptare  mori pjese ne punimet e panelit të organizuar nga Qendra për Studime Evropiane me fokus, potencialet dhe perspektiva ekonomike e sektorit të energjisë.

Këtu kryeministri theksoi një ndër objektivat strategjike të qeverisë se tij, shndërrimin e vendit brenda një kohe te shkurtër, në një fuqi të prodhimit te energjisë ne rajon./tvklan.al