Përplasja mes presidentit dhe mazhorancës së djathtë për dekretet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë mund të zgjidhet dhe të mos përsëritet vetëm me hartimin e një ligji për institucionin e kreut të shtetit.
Propozimi i hershëm i Partisë Socialiste, i ripërsëritur një ditë më parë nga sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafa, pritet pozitivisht dhe nga kryeparlamentarja Topalli.
Jozefina Topalli: “Unë besoj se e gjithë kjo situatë e krijuar në fund të fundit na bën të mendojmë që në raste si kjo e kësaj periudhe të moskonsultimit duhet të gjejmë rrugë ligjore për të mos rënë në përsëritje të tilla që krijojnë probleme të panevojshme”.
Topalli ka sqaruar dhe një herë se në seancën parlamentare do të votohen dekretet e presidentit dhe jo raporti i komisionit të ligjeve.
Jozefina Topalli: “Dekretet do votohen. Të hënën do jetë imuniteti dhe menjëherë në seancat pas do votohen dekretet. Raporti është një dokument parlamentar që i dorëzohet dhe i shpërndahet të gjithë deputetëve dhe gjitha institucioneve. Meqenëse jemi në rastin e një problemi që ekziston tashmë, të cilën parlamenti do ta zgjidhi pavarësisht nga një mospërputhje apo nga një anashkalim që i është bërë ligjeve ekzistuese.”
Institucioni i presidentit aktualisht është i vetmi që funksionon pa një ligj organik ku të përcaktohet roli i kreut të shtetit.
Ekspertët mendojnë se hartimi i një ligji të tillë mund të bëhet pjesë e reformës në drejtësi./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka