Data 11 Maj 2025 është dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj si data zyrtare e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Për të folur lidhur me këtë ngjarje si dhe tema të tjera të politikës në një lidhje direkte me gazetarin Drini Zeqo ishte deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.
Tabaku u shpreh se Partia Demokratike është njoftuar nga eksponentë të Partisë Socialiste lidhur me këtë datë muaj më parë dhe kjo ishte arsyeja që demokratët nuk morrën pjesë në takimin me Presidentin.
Ndër të tjera deputetja u shpreh se lirimi i Kryetarit të PD, Sali Berisha ndryshon Partinë Demokratike në terren dhe i vendos ‘motorë’ të tjerë angazhimi kësaj partie
-Si ju duket data 11 Maj e dekretuar nga ana e Presidentit Begaj?
Jorida Tabaku: Në fakt e morra vesh pak minuta më parë kur ajo u dekretua. Data 11 Maj ishte kërkesë e Partisë Socialiste. Partia Demokratike duke qenë se kjo datë ishte bërë publike në media më parë nga eksponentë të Partisë Socialiste nuk morri pjesë në takim. Unë gjykoj që ky proces zgjedhor ka nevojë të ketë dikë mbi palët dhe Presidenti duhet të jetë mbi palët. Ndjej keqardhje vetëm që ne e morrëm vesh nga përfaqësues të Partisë Socialiste javë më parë në fakt muaj më parë këtë datë ndërkohë që duhet të kishte qenë një proces ndryshe, procesi duhet të kishte nisur ndryshe. Ne nuk e dinim, ne dinim që përfaqësues të Partisë Socialiste kishin thënë muaj më parë që kjo do të ishte data e zgjedhjeve.
Për mua nuk ka rëndësi data. Rëndësi ka të ketë një proces të organizuar mirë me standarde, pa probleme të të shkuarës dhe ne kemi qëlluar që kemi parë procese zgjedhore që janë të njollosura dhe ky proces ka nisur si i tillë duke qenë se ne kemi angazhimin e ambasadorëve në një fushatë zgjedhore ndërkohë që nuk duhet të flasim për procesin, por për përmbajtjen dhe më vjen keq që qeveria nuk është duke bërë këtë, por është duke u marrë me atë që është marrë në të shkuarën se si të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. Sigurisht që Partia Demokratike ka platformën e vetë. Thashë që nuk ka rëndësi data sepse kjo datë është bërë më parë publike nga PS.
-Çfarë ndryshon në skenën politike lirimi i Kryetarit të Partisë Demokratike?
Jorida Tabaku: Ndryshon pikërisht këtë që thatë ju, Partinë Demokratike në terren dhe ne dalim nga ky ngërçi i diskutimit se çfarë do të ndodhë me fushatën zgjedhore kush do të jetë në terren sepse tashmë është zoti Berisha që i prin fushatës në terren. Ndryshon shumë edhe për rigjallërimin e strukturave të PD, mesazhet politike dhe për kontaktin me qytetarët dhe i vendos motorë të tjera angazhimit të Partisë Demokratike që tani do të jetë e shpërndarë në të gjithë territorin.
Deputetja Tabaku është shprehur se njerëzit tashmë kanë nevojë për më shumë vërtetësi dhe se nuk ju nevojiten frazat boshe dhe fjalimet bombastike.
Jorida Tabaku: Kontakti i drejtëpërdrejt besoj që të jemi të hapur, Partia Demokratike vjen pas një periudhe 3-vjeçare ku ka ezauruar kohë debati i brendshëm dhe mendoj që kontakti i drejtëpërdrejt është i domosdoshëm. Ka disa probleme politika shqiptare dhe problem i parë që unë shoh është që njerëzit kanë nevojë për vërtetësi dhe nuk i duhen më as frazat e gatshme as fjalimet bombastike. Si do të ndryshjë jeta e qytetarëve. Me këtë mesazh PD është e gatshme për tu përballur. Më shumë vertetësi do të thotë që njerëzit kanë nevojë për mesazhe të thjeshta. Njerëzit janë të shqetësuar sot për ekonominë, koston e jetesës, pensionet dhe ne duhet patjetër t‘ju flasim atyre për këto nevoja që ata kanë se si Partia Demokratike do të vijë me një ofertë për këto nevoja. Ka nevojë për gjëra të thjeshta, jemi kthyer në baziket./tvklan.al