Artan Lame: Absurde që shteti nuk i ka pajisur me leje para ndërtimit godinat fetare
Kadastra shqiptare e ka kthyer tashmë në traditë që, në prag të festave fetare të pajisë me dokumentet e pronësisë objekte fetare. Kjo për shkak se shumica e këtyre objekteve të ndërtuara pas vitit 1991, janë pa leje ndërtimi.
Në ditën e Krishtlindjes, drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, i ka dorëzuar imzot Angelo Massafres, Ipeshkv i Dioqezës Shkodrës, certifikatën e legalizimit të Kishës së Koplikut dhe “Muzeut kundër genocidit Shkodër” ndërtuar në marrëveshje me Ministrinë e Kulturës nga Provinca Françeskane”.
“Është absurde që shteti shqiptar nuk ka qenë në gjendje që të pajisë me leje që përpara ndërtimit të paktën objektet fetare, duke bërë që të gjendemi përpara nevojës së legalizimit edhe për shtëpitë e Zotit”.
Me kishën e Koplikut dhe muzeun e Françeskanëve, shkon në 162 numri i objekteve të legalizuara të Komunitetit Katolik, përfshirë kisha, manastire dhe objekte strehimore që kujdesen për shtresa në nevojë.
Klan News