Kryeministri Edi Rama mblodhi sot të gjithë kryetarët e bashkive në vend për një nismë të re që do të nisë mes bashkive dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për legalizimet e banesave të qytetarëve.
Sipas planit të ri, në Shtator do të krijohet një faqe online për koordinimin e punës mes bashkive dhe ASHK-së për t’i dhënë prioritet legalizimeve të banesave.
Kështu, bashkitë do të duhet të krijojë zyrë brenda institucionit që do të bashkëveproje me Kadastrën për të çuar përpara këtë proces.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij para kryebashkiavëe, tha se procesi i legalizimit lë për të dëshiruar dhe se prioritet do t’u jepet banesave të qytetarëve e më pas ndërtesave që shërbejnë për biznes.
“Sot jemi këtu për të komunikuar me ju për nevojën e fillimit të punës bazuar në VKM që u mor si rezultat i një diskutimi të nisur edhe së bashku në takimin që zhvilluam në Shkodër, të nxitur nga disa deputetë të PS, i pari ndër ta Erjon Braçe, dhe të domosdoshme si rezultat edhe i faktit që ndërkohë që me pjesën e regjistrimeve të pronave në Kadastër kemi një ecuri pozitive, me pjesën e legalizimeve nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Për këto arsye është vendosur që bashkitë të përfshihen në proces. Kjo ka një rëndësi dhe dobi sipas nesh të posaçme për faktin që jo vetëm do shtojë forcat për të mbështetur dhe zgjidhur problemin e legalizimit për qytetarët por dhe do shërbejë për të bërë monitorimin e punës në Kadastër, që në sektorin e legalizimeve lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar.
Së pari janë bashkitë që do vendosin prioritetet dhe do përcaktojnë ritmin e planit të punës. Procesi do udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar që ju do të krijoni deri në muajin Shtator kur ky proces do fillojë edhe si rezultat i ndihmës që po i jep AKSHI, ASHK-së për të pasur një platformë pune dixhitale. Dhe nëpërmjet këtij sistemi edhe për të krijuar një mekanizëm transparence dhe llogaridhënie mes palëve.
Pavarësisht të gjithë progresit të bërë, ka pasur një progres të pakënaqshëm, duhet të jemi të vetëdijshëm që përtej faktit që ligji e parashikon përfundimin në 2028, ne për banesat e qytetarëve duhet të bëjmë gjithçka që procesi të përshpejtohet dhe të vendoset rend shumë i qartë i kohës së kërkesave sepse është e padrejtë që disa presin prej vitesh, disa të tjerë e marrin legalizimin edhe pse janë aplikues të mëvonshëm. Të gjithëve ju takon, por ama keni detyrën të vendosni radhë dhe sipas radhës të bëhet ajo që është e para, legalizimi i banesave. Jemi të qartë në këtë sepse është dhe një kërkesë e drejtë e juaja. Kjo kërkon një fokus të veçantë nga ju personalisht.
Ka një sërë bashkish që kanë numra të vegjël kërkesash dhe nuk ka arsye që njerëzit në këto bashki të presin akoma. Ndërkohë që sa i përket ndertesave që janë bërë pa lehje dhe kërkojnë legalizim për biznes, ato mund të presin, por të parët janë banorët dhe shtëpitë e tyre. Procesi që bëmë në Himarë, Theth dhe që po shtyhet përpara dhe në disa pika të tjera, tregon që nëse koordinohemi dhe nëse ka fokus, ky proces ecën me shpejtësi”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
/tvklan.al