9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Shkodër dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, janë marrë zyrtarisht të pendehur për “shpërdorim detyre”. Prokuroria e Shkodrës ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar dosjen në gjykatë, duk kërkuar kalimin e saj për gjykim.

Punonjësit e IMT-së Bashkia Shkodër akuzohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre në kundërshtim me ligjin kanë lejuar ndërtimin në mënyrë të paligjshme të një objekti dy-katësh në zonën e Shirokës, duke mos e evidentuar dhe kallëzuar në prokurori, edhe pse provohet se kanë patur dijeni.

Në bazë të hetimeve ka rezultuar se punonjësit e ASHK-së në qytetin verior kanë mundësuar legalizimin e disa objekteve të ndërtuara pa leje në të njëjtën zonë, ku për shkak të statusit dhe mbrojtjes së veçantë, legalizimi i objekteve informale është i ndaluar me ligj. 

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Shkodrës bën me dije se pronarja e tokës ku është ndërtuar objeti 2 kate pa leje kishte njoftuar punonjësit e IMT, por ata nuk kishin marrë asnjë masë. Dy punonjësit e IMT-së Ergys karrametaj dhe Mirsad Hallunaj, kanë shkuar në terren për të verifikuar ankesat e bëra nga kallëzuesja, nuk kanë mbajtur proceverbal për ndërtim të paligjshëm. Por nga kontrolli në terren i bërë nga OPGJ-të e Prokurorisë rezulton i provuar ndërtimi i këtij objekti të ri. Në bazë të hetimeve për legalizimin e objektit pa leje në Shirokë Prokuroria ka zbuluar se janë pajisur me dokumenta edhe 9 ndërtime të tjera në Shirokë.

Organi i akuzës pretendon se këto objekte janë legalizuar në mënyrë të paligjshme.

Klan News