Jo vetëm kryeqyteti dhe qytetet bregdetare, por turistët e huaj kanë kuriozitet të vizitojnë dhe qytete të tjera që kanë histori dhe tradita, siç është Elbasani.
“Turizmi në Elbasan ka njohur rritje krahasuar me një vit më parë. Në Elbasan më e frekuentuar mbetet qendra historike e qytetit, kalaja, bazilika, muzeu etnografik dhe objektet e kultit. Pra në qytet më i shprehur ka qenë turizmi historik e kulturor.”
Kombësitë e turistëve që vizitojnë Elbasanin janë të shumëllojshme, por kamera e Tv Klan ka bashkëbiseduar mes të tjerësh me një çift nga Spanja që vizitojnë Shqipërinë për të tretin vit radhazi dhe premtojnë se do kthehen sërish.
Ajo që pëlqejnë janë ushqimi dhe mikpritja, ndërsa ajo qe nuk pëlqejnë është mënyra sesi shqiptarët i japin makinës. Askush nga ata që vizitojnë kalanë e Elbasanit nuk ikën pa marrë një kujtim nga ky qytet.
Ajo që vetë banorët e Elbasanit sugjerojnë që kalaja e qytetit të ketë më shumë interes për t’u vizituar nga të huaj e vendas është restaurimi i kalasë dhe banesave që ndodhen mbrenda saj.
Kalaja e Elbasanit është ndërtuar në kohën e Perandorisë Romake dhe brenda saj ndodhen edhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore, si: kulla e sahatit, hamami i grave, xhamia Mbret, kisha e Shën Mërisë.
Tv Klan