Ndërtimi i dhjetëra e qindra kalesave të paligjshme si dhe mungesa e sinjalistikës përgjatë linjave hekurudhore, ka shkaktuar jo pak probleme lidhur me sigurinë e jetës së banorëve.
Nga Plepat e Durrësit deri në dalje të Kavajës në stinën e verës situata bëhet edhe më alarmante, për shkak të mbipopullimit të zonës.
Përballë kësaj situate kanë reaguar jo vetëm banorët e përhershëm, por edhe turistë të shumtë që frekuentojnë bregdetin tonë, duke pohuar se institucionet përkatëse duhet të marrin masa për t’i dhënë një zgjidhje konkrete shqetësimit te tyre.
“Rrezikohen edhe këtu tek hekurudha, edhe atje tek plazhi. Çdo qytetar që me kalu në plazh, rrezikohet.”
“Duhet të merren masa sepse aktualisht nuk ka post, nuk ka vendroje.”
“Edhe në Kosovë kemi të njëjtin problem sikur këtu. Nuk ka shenja për ndalimin e qytetarëve derisa të kalojë treni.”
Sipas të dhënave të nxjerra nga drejtues të hekurudhës kohët e fundit, rezulton një kalesë e paligjshme në çdo 2 kilometra.
Situate e rëndë paraqitet në segmentin hekurudhor që përshkon Durrësin me rrethin e Fierit.
Në një distancë prej 65 kilometrash gjenden 48 kalesa të paligjshme. E njëjta situatë alarmante paraqitet edhe në aksin Durrës-Tiranë, ku janë 210 kalesa të ndërtuara pa leje dhe jashtë kushteve teknike./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle