Në limitin e afatit ligjor, Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për Donika Prelën, drejtuesen e komanduar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e Vettingut. Sipas komisionerit, vendimi i datës 5 Shkurt nuk është i bazuar në prova dhe fakte pasi subjekti nuk duhet të ishte konfirmuar në detyrë. Për këtë arsye, Komisioneri Publik kërkon rishqyrtimin e çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe ndryshimin e vendimit të KPK që e konfirmoi në detyrë.
Në daljen para komisionit të Vettingut, Prela kishte probleme me pasurinë dhe kryesisht të bashkëshortit te saj. Sipas gjetjeve, ai nuk kishte paguar taksat për disa vite dhe kishte shmangur pagimin e siguracioneve shëndetësore dhe shoqërore. Gjithashtu kishte probleme edhe me blerjen e dy apartamenteve që i kishte blerë nën kosto nga ndërtuesi.
Gjatë kësaj seance, Donika Prela pati debate edhe me përfaqësuesin ndërkombëtar në këtë proces, Teo Jacobs. Sipas tij, mospagimi i taksave nga bashkëshorti i Prelës i kishte lënë shije të keqe pasi nuk ishte i sigurtë nëse ishte bashkëpunëtor apo viktimë. Ndërsa Prela iu përgjigj se ajo dhe burri i saj nuk jetonin në vendet e Bashkimit Europian dhe se firma ku punonte i shoqi kishte shkelur kontratën.
Tv Klan