“Nuk justifikon disa të ardhura dhe banesat në Tiranë e Durrës”
Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela nuk justifikon 2 llogari bankare në emër të bashkëshortit, 25 mijë Euro dhe 1.7 milionë Lekë, si dhe dy banesat në Tiranë e Durrës.
Ishin këto argumentet që dha Komisioneri Publik në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, duke i qëndruar kërkesës për shkarkimin e prokurores Donika Prela.
Gjithashtu komisioneri gjeti shkelje edhe në faktin se bashkëshorti i Donika Prelës ka fshehur të ardhurat, duke mos paguar siguracionet dhe duke pranuar të punojë me dy bordero në një kompani ndërtimi.
Gjithashtu janë ngritur pretendime edhe për standardet profesionale të Donika Prelës, pasi në dy raste të ndryshme për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, ajo ka kërkuar masa të ndryshme sigurie, një herë arrest me burg, ndërsa më pas në gjendje të lirë.
Kërkesa e Donika Prelës për përjashtimin e Natasha Mulajt dhe Ina Ramës, që janë pjesë e trupës gjyqësore, u rrëzua nga KPA, e cila hapi hetimin gjyqësor nga themeli.
Në kohën që drejtonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda Prela e kaloi shkallën e parë të vetingut, por Komisioneri Publik e ankimoi atë.
Në dy seancat e radhës pritet vendimi për shkarkimin ose jo të Donika Prelës, e cila sot është prokurore e Apelit në Tiranë.
Tv Klan