“Janë bërë si Katica Janevat e Edi Ramës”
Kryeprokurores së përkohshme dhe drejtueses së Krimeve të Rënda, Lulzim Basha iu drejtua me emrin e kryeprokurores speciale të Maqedonisë së Veriut, që u arrestua një ditë më parë me akuzën e korrupsionit. Kjo pasi sipas tij, njësoj si Katica Janeva, Marku dhe Prela po mbrojnë politikanët e korruptuar shqiptarë. Rasti, thotë Basha, është ai i dosjes ‘184’, e njësoj si Janeva, shprehet se edhe ato meritojnë daljen përpara ligjit.
“Dy Katicat e Shqipërisë po veprojnë si pjesë e grupit të streuktuar kriminal të Rilindjes. Ato janë aty për t’i mbrojtur politikanët që janë kapur duke vjedhur paratë e shqiptarëve apo votat në bashkëpunim me krimin e organizuar. Guximi që kanë marrë për t’u përpjekur për të mbyllur një çështje që e ka marrë vesh gjithë bota, tregon që dëshpërimi është i tillë saqë ka vendosur t’i shtyjë edhe këto dy masha drejt vetëflijimit sepse me veprimet që kanë ndërmarrë sot të dyja janë penalisht të ndëshkueshme nga ligji. Kanë bërë shpërdorim detyre. Të dyja prej këtij momenti duhet të ndiqen penalisht për shpërdorim detyre”.
Pavarësisht akuzave që i adreson titullares, ai kërkon nga organi qëndror i akuzës të bëjnë verifikimet për Valdrin Pjetrin dhe Agim Kajmakun, që sipas tij po mbrohen nga Edi Rama i cili ka qenë në dijeni të dënimeve të tyre nga autoritetet italiane dhe greke.
“Edi Rama dhe persona të tjerë përgjegjës në kupolën e lartë sociale kanë patur dijeni të plotë. Në të njëjtën mënyrë si Valdrin Pjetri, edhe Agim Kajmaku sot ka mohuar precedentin penal. Agim Kajmaku është një person me precedent penal të hapur me drejtësinë greke. Ky është një fakt i ditur nga Edi Rama, i është komunikuar nga partnerë ndërkombëtarë dhe ka zgjedhur të kandidojë një person me precedent penal në shkeje të ligjit të Dekriminalizimit. Pyetja që shtrohet është sa të tjerë nga këta kryebashkiakë janë me precedentë penalë”.
Këto deklarata Basha i bëri pas takimit me ambasadorin e ri të Gjermanisë, me të cilin diskutoi për situatën politike. Për zgjidhjen e saj, Basha thotë se demokratët kanë gati platformën që e nxjerr vendin nga kjo krizë. Kryedemokrati thotë se ky plan kombëtar do t’i nënshtrohet një debati publik.
Tv Klan