Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen “Metamorfoza”. Në total janë 7 të pandehur për të cilët gjyqtarja Elsa Ulliri, ka pranuar provat e dërguara nga SPAK dhe ka vendosur nisjen e gjykimit.

Në bankën e të akuzuarve janë: biznesmeni i ndërtimit dhe i kazinove Pëllumb Gjoka, ish shefi i Operacionales, Oltion Bistri, ish-prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, shoferi i tij Edmond Preka, ish oficeri i policisë Ardrit Hasanbegaj, Astmer Bilali dhe Behar Brajoviç.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 si dhe për bashkëpunim në dy vrasje të tjera. Ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-shefi i Forcave Operacionale të Policisë, Oltion Bistri akuzohen për korrupsion dhe nxjerrje te sekretit.

Ish drejtuesi i policisë informonte për aksionet e policisë ndaj lojërave të fatit si dhe dyshohet se ka prishur provat në vendngjarje. Ish prokurori Lita dyshohet se ka ndihmuar Behar Bajrin për t’u liruar nga paraburgimi gjatë kohës që ka qenë me detyrë në prokurorinë e Shkodrës.

Behar Bajri akuzohet se për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen ndaj Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.

Shumica e anëtarë të këtij grupi u arrestuan në korrik të vitit 2023 ndërsa SPAK i mbylli hetimet në Maj të 2024-ës. Ata u zbuluan pas zbërthimeve të komunikimeve në aplikacionin Encro Chat dhe Sky Ecc.

Me vendim gjykate, grupit i janë sekuestruar dhe asetete. Vetëm ish drejtuesit të Forcave Operacionale Oltion Bistrit iu sekuestruan 3.1 milionë euru pasuri. Ai zotëronte 10 apartamente, vilë luksoze dhe 22 dyqane.

Klan News