Këngëtarja e njohur latine Karol G ka reaguar për këngën e saj më të fundit, “+57”. Ylli kolumbian ndau këndvështrimin e saj për mesazhin e këngës në rrjetet sociale.
Javën e kaluar, ajo publikoi bashkëpunimin me J Balvin, Maluma, Feid e disa të tjerë që përmblidhte kulturën e reggaeton-it kolumbian. Por kënga mori kritika të forta prej një vargu ku thuhet:
“Një bukuroshe seksi që 14 vjeçe”, që këndohet nga Feid dhe Maluma. Rolling Stone En Español shkroi në një artikull të titulluar “Katastrofa ‘+57’” se kënga “vijon seksualizimin e të miturve”. Instituti Kolumbian i Mirëqenies së Familjes (ICBF) nxori një deklaratë ku shprehej se kënga “përforcon seksualizimin e të miturve në vend” dhe “nuk ndihmon në luftën kundër shfrytëzimit seksual komercial të fëmijëve dhe adoleshentëve”.
Në postimin e saj, Karol tha se si artistë, janë të ekspozuar ndaj opinionit publik dhe se vargjet e këngës janë nxjerrë nga konteksti. Ajo e nis mesazhin e saj duke thënë se ka qenë gjithnjë mirënjohëse për dashurinë dhe mbështetjen e fansave dhe ata që “njohin punën time, qëllimet e saj dhe kauzat afër zemrës sime që më motivojnë, që i kam me zell dhe për të cilat punoj çdo ditë me dashuri dhe përgjegjësi. Unë kujdesem për njerëzit e mi dhe jam një njeri që çdo ditë kërkoj mënyra për t’u përfshirë në projekte ku mund ta zgjeroj dhuntinë time dhe të ndikoj pozitivisht në jetën e shumë njerëzve.
Si artistë, ne jemi të ekspozuar ndaj opinionit publik dhe interpretimeve individuale të njerëzve që na pëlqejnë dhe ata që largohen prej asaj që bëjmë. Ndihem shumë e acaruar për keqinformimin që është dhënë, postimet e gabuara që thuhet se unë kam bërë e fshirë në Twitter, një llogari që s’e kam përdorur për më shumë se gjashtë muaj. Në këtë rast, fatkeqësisht, teksti i një kënge që unë doja të festonte bashkimin e artistëve dhe të nxirrte në pah popullin tim… është nxjerrë nga konteksti. Asgjë nga ato që kam thënë në këngë nuk ka drejtimin që u është dhënë, as nuk është thënë nga ai këndvështrim, por marr mbi vete përgjegjësinë dhe e kuptoj që kam ende shumë për të mësuar. Ndihem shumë e prekur dhe kërkoj ndjesë nga thellësia e zemrës”.
Në fund, ajo falenderon mbështetësit si edhe bashkëpunëtorët e këngës. Këta të fundit kanë ripostuar shkrimin e Karol, ndërsa J Balvin u përgjigj:
“Mbretëreshë, jemi me ty. Na ke dhënë kaq shumë fitore sa kjo nuk të heq aspak prej madhështisë, jemi këtu pa kushte”./tvklan.al