Në Amerikë u zhvillua të martën debati i parë presidencial mes Kamala Harris dhe Donald Trump. CNN shkruan se Harris e “peshkoi” Trump-in për rreth 1 orë e 45 minuta sa zgjati debati i parë dhe ndoshta i fundit mes tyre.
Zv/presidentja ishte përgatitur gjerësisht për debatin dhe u përgjigj në gati çdo pyetje me një koment për të nevrikosur ish-presidentin Trump.
Ajo i tha Trump-it se liderët botërorë po qeshin me të dhe se udhëheqësit ushtarakë e quajnë një “turp”. Harris e quajti kundërshtarin e saj “të dobët” dhe “gabim”. Ajo tha se Trump u “pushua” nga 81 milionë votues, duke iu referuar numrit të votave që Joe Biden mori në zgjedhjet e vitit 2020.
“Qartësisht, ai [Trump] e ka shumë të vështirë që ta pranojë këtë gjë”, tha ajo.
Shpesh, Trump ishte jashtë kontrollit. Ai përsëriti me zë të lartë dhe vazhdimisht në debat se një sërë gënjeshtrash ishin të vërteta.
“Ish-presidenti përsëriti gënjeshtra për mashtrime në zgjedhjet e vitit 2020”, shkruan CNN. Madje ai shkoi deri në pikën që dha një teori konspiracioni rreth emigrantëve që hanë kafshë shtëpiake dhe gënjeu për demokratët që mbështesin abortet pas lindjes së foshnjave, që në fakt është vrasje dhe vepër penale kudo.
Ai bëri një tablo të SHBA-së duke kujtuar “masakrën amerikane” të cilën e kishte paralajmëruar kur u inaugurua si president në vitin 2017.
“Kemi një komb që po vdes”, tha Trump.
Pas debatit, Harris pati një tjetër ngritje. Ikona e muzikës pop Taylor Swift postoi në Instagram se do të mbështeste demokratët.
Por cilat janë pikat kryesore të debatit? Më poshtë po ju rendisim 7 prej tyre.
Harris goditi Trump për numrin e tubuesve
Harris kishte shkuar me një plan të qartë: Të mundte Trump në lojën e tij.
Dhe korri një sukses… Zv/Presidentja Harris, sipas CNN, e ballafaqoi Trump me çështjet e tij ligjore dhe më pas e sfidoi se do fundoste një projektligj për emigracionin.
Për dy të parat, Trump i shtrëngoi fort dhëmbët. Mirëpo kur Harris tha se tubimet e Trump ishin të mërzitshme, u duk se “frenat” e lojës i kishte në dorë zv/presidentja.
Në vend që të angazhohej në pyetjet e ngritura nga moderatorët duke përfshirë disa pika që Trump i konsideron të forta, ish-Presidenti u detyrua të fliste për argëtimin e njerëzve në mitingjet e tij dhe duke thënë se administrata Biden e kishte vënë në shënjestër ligjërisht. Madje këmbënguli, pavarësisht provave, se emigrantët po hanin kafshët shtëpiake të amerikanëve.
“Më lejoni t’i përgjigjem sa i përket tubimeve. Njerëzit nuk largohen nga tubimet e mia, ne kemi mitingjet më të mëdha dhe më të pabesueshme në historinë e politikës”, tha ai.
Trump dhe teoritë e konspiracionit
Donald Trump, siç shkruan CNN, nuk iu ndal teorive të konspiracionit. Ai solli në debat teorinë se emigrantët nga Haiti që jetojnë në Springfield, Ohio, po hanë macet dhe qentë e njerëzve.
“Në Springfield, po hanë qentë. Ata po hanë macet. Po hanë kafshët shtëpiake të njerëzve që jetojnë atje”, tha ai.
Por kur moderatori i debatit David Muir citoi zyrtarët lokalë që mohonin se ka ndonjë provë që emigrantët të hanë kafshët shtëpiake, Trump vijoi duke thënë se “njerëzit në televizor” po e thonin diçka të tillë. Kur u vu më shumë nën presion ai shtoi se këtë gjë “do ta marrin vesh”.
Edhe për kriminalitetin, Trump pretendoi se ishte më i lartë në SHBA krahasuar me vendet e tjera të botës. Kur Muir tha se të dhënat nga FBI tregojnë një rënie në vitet e fundit, Trump e konsideroi agjencinë ligjzbatuese si thellësisht të korruptuar e që nxjerr deklarata mashtruese.
Më tej vazhdoi se zgjedhjet në SHBA janë “lëmsh” dhe pretendoi se demokratët po përpiqen të marrin emigrantë pa letra që të votojnë.
Debati i ashpër për abortin
Kjo çështje është një nga pikat kryesore të debatit mes dy kandidatëve dhe këtu, sipas CNN, Harris bëri një mbrojtje më të mirë se sa Joe Biden në debatin që ky i fundit pati me Trump.
Ish-presidenti, i cili emëroi tre nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme që përmbysën mbrojtjen federale të abortit, ka kërkuar të zbusë qëndrimin e tij për këtë çështje duke kritikuar ndalimet gjashtëjavore të abortit dhe duke përsëritur mbështetjen e tij për përjashtime në rastet e përdhunimeve, incesteve dhe kur rrezikohet jeta e nënës. Por ai ka mbrojtur vendimin e Gjykatës Supreme që rrëzoi atë që njihet si çështja Roe v. Ëade, ku në Kushtetutë mbrohej e drejta e abortit.
“Tani nuk është e lidhur më me qeverinë federale. Kam bërë një shërbim të madh. U desh guxim i madh për ta bërë”, tha ai.
Trump përsëriti disa nga argumentet që bëri për abortin në debatin e tij në Qershor me Biden. Ai argumentoi se të gjithë donin që çështja t’i kthehej shteteve pavarësisht rezistencës së gjerë nga demokratët dhe disa kongresmenë të pavarur. Ai argumentoi në mënyrë të pasaktë se një ish-guvernator i Virxhinias tha se foshnjat duhej të “ekzekutoheshin”, një referencë ndaj komenteve të demokratit Ralph Northam, një mjek, që bëri për kujdesin për lindjet pas shtatzënive jo të qëndrueshme.
Trump përsëriti pretendimin e pavërtetë se disa shtete lejojnë që aborti të kryhet pasi një fëmijë ka lindur, duke sjellë edhe reagimin e moderatores Linsey Davis.
“Nuk ka asnjë shtet në këtë vend ku është e ligjshme të vrasësh një fëmijë pasi ka lindur”, tha ajo.
Ndërsa Harris u përqendrua në rastet kur gratë nuk kanë mundur të abortojnë pasi kanë qenë viktima të përdhunimit apo kanë pësuar abort spontan.
“Gra shtatzëna të cilat vuajnë nga aborti spontan, që u mohohet kujdesi në dhomat e emergjencës sepse mjekët kanë frikë mos futen në burg dhe ajo qëndron e gjakosur në makinë në parking. Ajo nuk e donte këtë”, tha Harris.
Donald Trump, egoist
Harris vendosi në fillim dallimin me Trump duke e përcaktuar veten në mbrojtje të klasës së mesme amerikane dhe duke e përshkruar kundërshtarin e saj si egocentrik.
“Donald Trump nuk ka plane për ju”, tha Harris në një pyetje për ekonominë. “Ai është më shumë i interesuar të mbrojë veten se sa të kujdeset për ju”, shtoi ajo.
Shtrëngimi i duarve
Kur dy kandidatët shkuan në podiumin e debatit në Filadelfia, ishe hera e parë që takoheshin personalisht. Harris tregoi veten e saj kur hyri në skenë, u largua nga foltorja dhe shkoi drejt Trump për një shtrëngim duarsh. Ajo prezantoi veten dhe tha: Le të kemi një debat të mirë.
Trump iu përgjigj: Gëzohem që të takoj.
Ishte shtrëngimi i parë i duarve në një debat presidencial që kur Trump dhe Hillary Clinton u ballafaquan në vitin 2016. Trump në përgjithësi priste ndërsa Harris fliste. Ndërkohë zëvendës presidentja komunikonte me shprehitë e fytyrës. Ajo qeshi me disa komente të Trump, buzëqeshi me të tjera, tundi kokën me disa dhe në disa raste dukej e hutuar nga ato që fliste ish-presidenti.
Komentet e Trump për racën e Harris, polemikat e të kaluarës nën mikroskop
Trump u pyet për komentet e tij muajin e kaluar që pretendoi se Harris kishte filluar së fundmi të identifikohej si me ngjyrë. Ish-Presidenti i mbrojti qëndrimet e tij duke u shprehur se i kishte lexuar diku.
“Nuk më intereson fare. Çfarëdo gjëje do ajo që të jetë, për mua është në rregull”, tha Trump.
Në javët e fundit që prej këtyre komenteve, zv/presidentja nuk është përfshirë në këtë sulm personal duke e quajtur të njëjtin “stil loje të lodhur”.
Megjithatë gjatë debatit ajo iu përgjigj sulmeve të Trump në një mënyrë tjetër. Në vend që të mbronte identitetin e saj, nënpresidentja shpalosi historinë e diskriminimit racor dhe sjelljes raciste, sipas saj, të Trump.
Trump dhe Harris, “thembrat e Akilit” në arenën ndërkombëtare
Mund të ndodhë që ndonjë prej dy kandidatëve të ketë ndonjë plan të qartë për luftërat në Gaza dhe Ukrainë, por asnjë prej tyre nuk i ndau idetë e tij për këto çështje me shikuesit në shtëpi.
E pyetur si do të rikthejë paqen në Gaza, Harris fillimisht riktheu sulmet e Hamasit më 7 Tetor 2023 brenda në Izrael. Ajo bëri një kritikë të lehtë për kundërpërgjigjen e Izraelit në bombardimet që kanë vrarë me dhjetëra mijëra palestinezë dhe mbështeti zgjidhjen për dy shtete, të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe një angazhim për tindërtimin e Gazës.
“Duhet një armëpushim dhe të nxjerrim pengjet”, tha ajo.
Trump nga ana tjetër dha akoma më pak detaje.
“Ajo e urren Izraelin”, tha ai për Harris duke shtuar se ajo urren edhe “arabët”.
Trump është përpjekur që të inatosë arabo-amerikanët në lidhje me mënyrën se si Biden e ka menaxhuar Bien konfliktin. Në debat, ai akuzoi Harris se ka anashkaluar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në një vizitë të fundit të tij në Capitol Hill duke deklaruar se asgjë nga këto nuk do të ndodhte nëse ai do të ishte ende në Shtëpinë e Bardhë.
E njëjta gjë edhe për luftën ruse në Ukrainë. Ish-Presidenti Trump tha se “e njeh shumë mirë Putinin” dhe se “Rusia nuk do të kishte hyrë në Ukrainë” nën drejtimin e tij.
“Do ta bëj para se të bëhem president”, shtoi Trump duke pretenduar se zgjedhja e tij do të rivendoste gjendjen gjeopolitike dhe se do të realizonte një marrëveshje.
Harris nga ana e soj e përdori bisedën Rusi-Ukrainë për të sulmuar Trump.
“Është e njohur që këta diktatorë dhe autokratë kërkojnë që të bëheni sërish president sepse është e qartë që mund t’ju manipulojnë me favore”, tha Harris.
Trump u kundërpërgjigj duke kujtuar dëshirën e tij për t’i detyruar vendet anëtare të NATO-s që të paguajnë më shumë në NATO dhe goditi Harris për refuzimin të bëjë këtë gjë.
Harris u përgjigj se besonte se Trump, në fakt, mund t’i jepte fund të shpejtë luftës, duke iu dorëzuar Putinit.
Trump nga ana tjetër përmendi tërheqjen nga Afganistani dhe për këtë çështje pati debate mes të dyve, me Harris që tha se ish-presidenti në kohën e tij në detyrë negocioi një nga marrëveshjet më të dobëta.
Nga ana tjetër Trump citoi edhe një lider europian, më saktësisht kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
“Orban e tha këtë. Personi më i respektuar dhe më i frikshëm është Donald Trump. Ne nuk kishim probleme kur Trump ishte president”, citoi ai.
Shkrim nga CNN
Përshtati në shqip për Tvklan.al, Gramoz Pisha