Surprizat deri më tani nuk kanë qenë të pakta në kampionatin evropian të futbollit dhe grupi C është një dëshmitar që në takimet e para.

Katërshja e hekurt, siç e kanë emërtuar të gjithë do të luajë sfidat e dyta, Itali-Rumani në ora 18:00 në Zyrih dhe Holandë-Francë në 20:45 në Bernë.

Trajneri i italianëve, Roberto Donadoni duhet të motivojë më shumë ekipin e tij që të korrigjojë gabimin e ndeshjes së parë kur humbi 3-0 me Holandën.

Lëvizjet në formacion në sfidën me Rumaninë kanë të bëjnë me nisjen nga minuta e parë me Del Pierron dhe mbrojtësin Chiellini në vend të Di Natales dhe Materazzit.

Në 11-shen e fillimit do të jetë edhe De Rossi në vend të Grosso-s. Rumania e Piturca-s nuk do të ketë vetëm sulmuesin e dëmtuar, Marica, i cili do të zëvendësohet nga Niculae.

Në 14 sfidat e deritanishme italianët kanë fituar 10, ndërsa rumunët vetëm dy. Suksesi i fundit i Rumanisë ka qenë në Mars të 1989-tës kur triumfoi 1-0 në një ndeshje, ku Donadoni ishte lojtar.

Ndeshje e emocioneve të mëdha pritet të jetë edhe ajo mes Holandës dhe Francës. E para kërkon sigurinë për në çerekfinale, ndërsa e dyta fitoren e parë për të shpresuar më tej.

Rikthime tek të dy ekipet pas dëmtimeve ku holandezët mund të mbështeten te Robben e Van Persie, ndërsa francezët te përvoja e Henry e Vieira-s.

Më parë këto skuadra janë përballur 21 herë ku holandezët kanë vetëm një sukses më shumë./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe