Në çdo nëntë gra njëra do të preket nga kanceri i gjirit.

Ky është raporti që ekziston sot në botë, por kur flasim për Shqipërinë situata bëhet më alarmante.

Çdo vit në vend zbulohen rreth 400 gra me kancer gjiri dhe pothuajse të gjitha humbasin jetën.

Lumturi Mërkuri: “Çdo vit preken mesatarisht 350-400 raste të reja kemi çdo vit, por problem në Shqipëri është fakti që gratë vijnë në stade shumë të avancuara, atëherë dhe kur mjekësia jo gjithmonë mund të bëjë gjë dhe një pjesë e mirë e këtyre ka një përfundim fatal, një pjesë fare e vogël kanë një ecuri të mirë.”

Në ditën kombëtare të mamografisë mjekët kërkojnë vëmendjen e grave për të kapur në kohë këtë sëmundje e cila zë vendin e parë përsa i përket vdekshmërisë tek femrat.

Lumturi Mërkuri: “Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër, por mundësia më e madhe është tek femrat që iu kanë ardhur periodat para moshës 12 vjeç, kanë lindur fëmijë mbi moshën 30 vjeç, femrat që janë beze, që janë të shëndosha, femrat që pinë shumë cigare dhe alkool, femrat që kryejnë pak aktivitet fizik si dhe femrat që kanë histori familjare me kancer të gjirit.” 

Kanceri i gjirit mund të kurohet nëse kapet në stade të hershme. Vetë specialistët rekomandojnë të bëhet rregullisht vetëkontrolli i gjirit, kontrolli i tij tek mjeku, eko e gjirit dhe pas moshës 40 vjeç të behët mamografia./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami