Kandidati demokrat për bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu, ka folur pas humbjes, në zgjedhjet lokale. Në një status të gjatë në rrjetin social Facebook, ai shkruan se presioni ndaj dibranëve ka qenë i madh.
“E di që dibranët u kërcënuan me bukën e gojës, me ndihmën ekonomike”, shkruan Shehu.
Postimi i plotë
Të nderuar bashkëqytetarë dibranë,
Dua t’ju shpreh sot mirënjohjen time të thellë, për mbështetjen, besimin dhe optimizmin që më përcollët gjatë gjithë fushatës elektorale.
Unë e di se presioni ndaj jush ka qenë i madh. Gardianet e hashashit ju kërcënuan në mënyrë sistematike nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e vetë shefit të komisariatit. Unë e dëgjova nga goja juaj, se e kishit të pamundur të mbillnit tokat tuaja apo të prisni dru në malet tuaja, se trafikantët e mbledhur në Dibër nuk ua lejonin një gjë të tillë.
Varfëria që u thellua në këto tre vjet e rriti tundimin e më të varfërve, e më të pamundurve për ta shitur votën sepse në fund të fundit kjo është filozofia e Edi Ramës, sa me i varfer populli, aq me më e lire vota.
E di se u kërcënuat me bukën e gojës, me ndihmën ekonomike, shumë prej jush jua hoqen atë, u kërcënuat me heqje KEMP-i, u larguat nga puna, u shantazhuat për votën.
E di se kishte shumë prej jysh që nuk e pranuan shitjen e votës, por ditën e zgjedhjeve përmes kërcënimit, e madje duke u lënë në prag të derës rojet e hashashit me kallashnikov nuk dolën dot të votojnë .
Por përtej të gjitha, unë u jam thellësisht mirënjohës çdo njërit prej jush që më dha votën duke sfiduar krimin e bërë njësh me pushtetin, duke sfiduar kriminelët me uniformë policie, tundimin për shitjen e votës me shuma të majme parash, presionin e deputetëve të krimbur me paratë e korrupsionit. Sepse ju votuat me mendje dhe zemër dhe unë do tu jem përjetë mirënjohës.
E kam thënë gjatë fushatës elektorale e dua sërish ta kujtoj se përtej të qenit të majtë apo të djathtë ne jemi dibranë dhe jam i bindur që shumë prej jush që për shkak të presionit, varfërisë apo shantazhit nuk më votuat mua, nuk do të jetë e largët dita që mençuria dibrane do të triumfojë e do t’i ktheni shumëfish Edi Ramës dhe bandës së tij fyerjen, dhunimin dhe përçimin që u bëri në këto zgjedhje.
Historia e ka treguar se ne demokratët jemi rikthyer gjithnjë e më të fortë pas dhunës, kërcënimit e vrasjeve që na kanë bërë. Sepse Zoti e desh që ne të jemi forca e lirisë e demokracisë dhe e zhvillimit.
Dhe unë sot jam më i bindur se kurrë se dibranët do të rikthehen shpejt aty ku e kanë vendin në parajojë të qendrës për vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Kjo ishte një beteje të cilën unë e humba. Por siç thonë librat e shenjtë :“Jo çdo e keqe vjen për keq!”
Qoftë ky fillimi i fundit të poshtërimit të shqiptareve duke u blerë votën, nderin dhe dinjitetin.
Unë do të vazhdoj të jem pranë jush dhe në çdo ditë të jetës time me aq sa kam mundësi do të mundohem të bej gjithçka për zhvillimin e Dibrës e një jete më të mirë për dibranët./tvklan.al