Mazhoranca i fitoi zgjedhjet në Dibër.
Me mbi 4 mijë vota diferencë, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Muharrem Rama, u shpall fitues në garën për Bashkinë e qytetit verilindor.
“Falenderoj popullin e Dibrës për mbështetjen masive që më bëri. E prisnim mbështetjen, por jo kaq të madhe. Dola kandidaturë fituese me shumicë bindëse. Sot për Dibrën fillon një epoke e re, gjithë premtimet që kemi dhënë do t’i bëjmë realitet. Puna e parë, do merremi me infrastrukturën e Bashkisë së Dibrës, dhe shumë projekte që i kemi thënë gjatë fushatës do t’i bëjmë realitet”.
Kandidati i djathtë, Sherefendin Shehu pësoi një humbje të thellë. Me të 118 kutitë e numëruara, Muharrem Rama numëron 18 mijë e 595 vota ose 53.6 % të totalit, ndërsa Sherefedin Shehu, 43.7 % të votave.
Kjo është humbja më e thellë që e djathta pëson në Dibër.
Në zgjedhjet e një viti më parë, Shukri Xhelili fitoi me 434 vota më shumë ndaj rivalit demokrat, Ilir Krosi. Ai mori 15 022 vota, ndërsa Krosi 14 588.
Procesi i numërimit përfundoi në orën 18:30. Ai nisi pas mesnate dhe pati dy ndërprerje, në orën 04:40, si pasojë e lodhjes së numëruesve dhe në mesditë, për shkak se në KZAZ hynë persona të pautorizuar.
Gjatë procesit të votimit, pati akuza të shpeshta të Partisë Demokratike për blerje votash me para apo me thasë me miell.
Disa persona u kapën duke fotografuar votën e tyre, u proceduan penalisht dhe votat u shpallën të pavlefshme.
Muharrem Rama do të jetë kështu Kryebashkiaku i Dibrës për 3 vitet e mbetura të mandatit të nisur nga Shukri Xhelili, i cili u shkarkua pas përfshirjes në një skandal seksual, pasi u filmua duke kërkuar favore seksuale në këmbim të votës.
Tv Klan