14 gra futen në grevë urie pasi kanë ngelur pa strehë, që prej ditës së djeshme 14 gra njëra prej të cilave ka me vete dhe fëmijën e saj 6 muajsh janë futur në grevë në ambjentet e ish uzinës mekanike buqësore në shkozet të Durrësit për të protestuar kundër vendimit të privatizimit të ambjenteve të cilat prej disa vitesh 35 familje i përdornin si banesa. Privatizimi i ish UMP-s është bërë nga një qytetar nga Tirana, këto ambjente i janë shitur pronarit të ri në AKP. Pronari i ri ka lajmëruar banorët të braktisin ambjentet sa më parë. Grevistet thonë se kanë 1 muaj që kërkojnë zgjidhje nga Bashkia e Durrësit, gratë tregojnë se kanë kërkuar disa herë takim me kryetarin e bashkisë Miri Hoti, por ai nuk i ka pritur, madje sipas tyre herën e fundit është përdorur dhunë nga Policia Bashkiake për ti shpërndarë.
“Jemi futur në grevë se na janë shitur shtëpitë, na i ka shitur Mir Hoti shtëpitë, ka një muaj që shkojmë përditë dhe në fund na rrahën me policinë e bashkisë dhe na pritën vetëm 3 përfaqësues mbasi na rrafi dhe tha se skeni të drejtë sepse shtëpitë janë shitur” .
“Na takojë, më tha se për 3-4 ditë do të vijë t’ju sqaroj atje dhe nuk erdhi. Unë i kam shtyrë gratë dhe një ditë më tejë, kemi bërë fjalë këtu, që ta prisnim edhe sot se do të vijë, nuk erdhën, shkuam prap dhe nuk na priti fare” .
“Kam një muaj që rri vërdallë bashkë me shoqet e mia dhe nuk kam asnjë përgjigje të saktë, prandaj u detyruam të vijmë këtu. Prap edhe këtu asnjë përgjigje deri më sot, por unë e kam stakuar trurin bashkë me shoqet e mia, o përgjigjen e saktë ose ne do të vdesim 15 veta”.
Pas këtyre akuzave për Hotin dhe institucionin që ai drejton, ne kërkuam të dimë se kush ishte varjanti i tyre për këtë problem. Në mungesë të Miri Hotit, Kryetarit të Bashkisë së Durrësit i cili ndodhej me shërbim jashtë qytetit ne folëm me zëvëndësin e tij Besnik Kërtusha. Sipas Kërtushës këto 35 familje përgjigjen për privatizimin e ambjeteve të ish UMP-s duhet ta kerkojne te AKP.
Besnik Kërtusha: “Problemi nuk ka të bëjë fare me Bashkinë e Durrësit, ndoshta mund të ketë të bëjë në parim, duke qënë se i gjithë populli e ka idenë se bashkia merret me strehimin e popullatës dhe normalisht ashtu është, bashkia merret por merret kundrejtë fondeve të planifikuara nga shteti. Të tjerat, jo për të hequr përgjegjësinë, por siç është realiteti nuk ka asnjë llojë përgjegjsie, asnjë llojë atributi dhe asnjë llojë kopetence mbi zgjidhjen e këtij problemi. Pronarja e atij objekti deri në momentin që ka ndodhur ky fenomen kuptohet që ka shtetin, pasi në Shqipëri dihet qe ka dy llojë pronash, pronë private dhe pronë shtetërore dhe për pronat shtetërore kuptohet që deri në momenitn që nuk ka hyrë në funksion ligji për kthimin dhe transferimin e pronave në pushtetin vendor kuptohet që pronari i vetëm është shteti, pra qeveria nëpërmjet strukturave të saj dhe njësive përkatëse”.
Kërtusha thotë se janë të shumtë të pastrehët në qytetin e Durrësit, kështu që edhe pse e kuptojnë shqetësimin e tyre Bashkia e Durrësit nuk ka një zgjidhje për këta të pastrehë./tvklan.al