Uniformat blu pas marrjes së njoftimit se në aksin rrugor Gjepalaj-Shijak kishte ndodhur një konflikt me armë mes disa personave, kanë organizuar punën për kapjen e autorit. Falë ndërhyrjes kanë bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar, 28-vjeçarit me iniciale F.C., banues në Shijak.
Gjatë veprimeve, Policia ka gjetur armën e zjarrit tip kallshnikov, të cilën i riu e kishte hedhur pas konfliktit si dhe automjetin me të cilin ai u largua nga vendi i ngjarjes.
Po nga hetimet rrezultoi se 28-vjeçari në aksin rrugor Gjepalaj-Shijak ishte konfliktuar për motive të dobëta me 29-vjeçarin me iniciale E. Z. dhe një 17-vjeçar. Pasi i ka kanosur me armë zjarri, ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por u lokalizua dhe u vu në pranga nga shërbimet e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al