23 deputetë të opozitës do të përgjigjen në Prokurorinë e Posaçme për kaosin e shkaktuar në sallën e Kuvendit, në seancën e së hënës.
Pas hetimeve të kryera nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, materialet i janë referuar SPAK-ut.
Flamur Noka akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, Gazment Bardhi akuzohet për “Goditjet për shkak të detyrës”, ndërsa Bledjon Nallbati për veprën e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”
Ndërsa 20 deputetë e tjerë të opozitës akuzohen për të njëjtën vepër penale, “shkatërrim të pronës”.
Në njoftimin e saj policia bën me dije se gjatë zhvillimit së seancës plenare, këta deputetë kanë kryer veprime të dhunshme duke dëmtuar foltoren e Kuvendit, kanë thyer një karrike dhe kanë hedhur në drejtim të Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, sende të forta. Gjithashtu kanë djegur disa karrige në ambientet e jashtme të Kuvendit.
Referimin e çështjes në SPAK e paralajmëroi më herët Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, i cili në një postim në Facebook theksoi se veprime të tilla janë akte të rënda dhune dhe vandalizmi duke i cilësuar të papranueshme dhe të ndëshkueshme ligjërisht.
Klan News