Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare prej afro një muaji vijon të qëndrojë i stabilizuar poshtë 50 dollarëve për fuçi, nivel 3 herë më i ulët nga piku i regjistruar verën e këtij viti. Por në tregun vendas karburantet mbeten në nivele të larta duke reflektuar shumë pak ecurinë e bursës. Ky është një tjetër fakt që kundërshton pretendimet e ngritur nga grosistët sipas të cilëve duhet të kalojnë disa javë, përpara se efektet e kuotimit të naftës në bursat ndërkombëtare të pasqyrohen në tregun vendas.
Për më tepër, ulja e çmimit të arit të zi dy muajt e fundit në tregjet ndërkombëtare ka ndodhur në një kohë kur monedha e gjelbër amerikane, më të cilën kuotohet nafta në bursë, të qëndrojë në pozita të stabilizuara këmbimi kundrejt monedhës vendase. Çka do të thotë se ulja e çmimit të naftës ka qenë reale duke thelluar më tej diferencën mes çmimit të blerjes në bursë dhe çmimit të shitjes së karburanteve në vend.
Televizioni klan ka përcjellë sistematikisht shqetësimet e qytetarëve dhe bizneseve jo vetëm për çmimet e larta të karburanteve por edhe për abuzime me cilësisë apo sasinë. Nga ky keqfunksionim i tregut konsumatorëve dhe kompanive shqiptare përllogaritet që t’ju faturohen rreth 150 milionë euro më shumë në vit, të cilat më së shumti mbushin arkat e grosistëve. E ndërkohë, këta të fundit vijojnë të mbajnë të ngrira çmimet e karburanteve, një gjë e tillë e favorizuar edhe nga zvarritja e hetimit të ndërmarre pranverën e këtij viti nga autoriteti i konkurrencës./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro