Procesi i aplikimit dhe pasjes së qytetarëve me karta identiteti, vijon me intensitet të lartë jo vetëm në qendrat e mëdha urbane por edhe në zonat e tjera të vendit. Këtu jemi në komunën, Bulgarec të Korçës më e madhja në qark për numër votuesish. Banorët e zonës shprehen të kënaqur me ecurinë e procesit dhe tashmë shumë prej tyre kanë marrë në dorë letërnjoftimet e reja elektronike.
Qytetari 1: “Shumë mirë, çdo gjë në rregull, as 10 minuta.”
Qytetari 2: “Se invalid jemi, na kanë ndihmuar na futën pa radhë dhe këtë ju a dimë për faleminderit.”
Zyra e aplikimit u ka dhënë prioritet qytetarëve pa pasaportë të cilët numërohen në 2400 persona.
Artur Lisi: “Ne mendojmë që brenda majit, në fund të majit do plotësojmë të gjithë qytetarët që kanë nevojë për kartë identiteti.”
Në bashkinë e Peshkopisë ka filluar shpërndarja e 1 600 kartave të para, ndërkohë që në komunat Maqellarë, Melan dhe Fushë Alie ka përfunduar aplikimi për mbi 70 % të shtetasve pa pasaportë.
Ilir Klosi: “ Vendimi i fundit i qeverisë për lehtësira për personat në ndihmë ekonomike për familjet në nevojë, për pensionistët dhe për studentët e ka shtuar numrin e aplikuesve dhe besoj që e kapim në afatin shumë të shpejtë realizimin 100% të aplikimit të shtetasve që nuk kanë pasaportë.”
450 shtetas janë pajisur deri më tani me letërnjoftimet elektronike në bashkinë e Divjakës. Ritmi i procesit është i lartë dhe fundi i muajit prill pritet të shënojë fundin e aplikimeve për qytetarët pa pasaporta.
Valentin Trungu: “Procesi i aplikimit për karat e identitetit po shkon shumë mirë në Divjakë, ka ecuri, ka interesim nga ana e popullit. Mendoj se brena afateve ligjore që janë përcaktuar them së do ja arrijmë.”
Më shumë se 100 aplikantë paraqiten çdo ditë në zyrat e komunës Qendër në Vlorë. Fluksi i qytetarëve që kërkojnë të pajisen me letërnjoftimet elektronike është rritur ndjeshëm, ku një interes të madh kanë treguar emigrantët e kthyer rishtas në atdhe.
“Ka pasur shumë aplikime sidomos këto ditët e fundit me ardhjen e refugjatëve për festën e Pashkëve, ka pasur një dyndje shumë të madhe që ne mezi po e përballojmë këto ditë.”
Në të gjitha njësitë vendore zyrat e aplikimit vijojnë të jenë të hapura edhe të shtunën e të dielën për tu dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të aplikojnë për karta dhe pasaporta biometrike./tvklan.al