Banorë të Peshkopisë dhe zonave përreth kanë marrë pjesë në inaugurimin e kompleksit të llixhave, një prej qendrave kurative më të njohura në verilindje të vendit. Investimi me vlerë 250 mijë euro është konkretizuar sajë bashkëfinancimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj holandeze.

Ilir Krosi: “Më së fundi është realizuar një investim dhe një rehabilitim, një rikonstruksion total i kësaj qendre mjaft të rëndësishme kurative. Shpresojmë t’ju kemi lehtësuar më shumë shërbimin për nevojat që ju keni.”

 Ardi Stoios Barken: “Unë mendoj që tani llixhat duke pasur parasysh që çdo gjë është e rinovuar do të japë një mundësi më të mirë për jetën dhe mirëqenien e njerëzve që vijnë dhe vizitojnë llixhat.”

Me rikonstruksionin e godinës, tubacioneve, vaskave dhe sallave të fizioterapisë pritet të rritet ndjeshëm cilësia e shërbimit në këtë qendër kurative.

Mentor Prifti: “Ne afërsisht në periudhën e fluksit të madh mund të lajmë deri në 1000-1500 veta në ditë. Me investimin që është kryer ne mendojmë që rritja mund të jetë 15-20%.”

Vetë banorët shprehen të kënaqur me përmirësimin e kushteve ç’ka sipas tyre do të shtojë numrin e vizitorëve.

“Unë 70 vjeçe jam, por kam gjetur përmirësim. Edhe këto gratë punojnë shuam mirë pavarësisht se vend kallaballëk i madh.”

“Nga Tetova kam ardhur këtu. Uji shuam i mirë, krejt në rregull. Më mirë s’ka ku të shkojë.”

“Kam gjetur shërim, është shumë mirë është mrekulli.”

Terapia në ujërat termale shërben për të kuruar reumatizmat, sëmundjet e kockave apo dhe ato nervore./tvklan.al